Policia zbarkon në Lezhë me urdhër të SPAK: Mes të arrestuarve dhe 5 efektivë policie

Pesë efektivë të policisë së Shtetit janë mes 12 personave të arrestuar deri tani në Lezhë në kuadër të një operacioni të gjerë antidrogë të urdhëruar nga prokuroria e posaçme SPAK.

Operacioni i cili ka nisur të mërkurën që prej orëve të para të mëngjesit ka për qëllim ekzekutimin e 20 urdhrave të arrestit të firmosur nga prokurorët e SPAK, por mësohet se policia ka pasur vështirësi në lokalizimin e disa të kërkuarve.

Deri në orët e pasdites janë vënë në pranga 12 persona, mes të cilëve 5 punonjës të policisë së Shtetit të akuzuar për rolin e tyre në lidhje me parcelat me kanabis.

Burime jo zyrtare bënë të ditur se efektivat e policisë dyshohet se janë të përfshirë në veprimtarinë e kultivimit të bimëve narkotike në zona të ndryshme të qarkut të Lezhës në bashkëpunim me personat e tjerë të arrestuar.

Në të njëjtën ditë, SPAK bëri të ditur se pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet norvegjeze, u grumbulluan të dhëna se shtetasi shqiptar me iniciale F.P. ka krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal i cili bënte të mundur që të dërgonte sasi të ndryshme me lëndë narkotike (kokainë dhe marijuhanë) në Norvegji, të cilat shiteshin në këtë shtet.

Sipas njoftimit të SPAK, i hetuari me iniciale F. P. ka arritur të krijojë një rrjet shpërndarësish të lëndëve narkotike (kryesisht kokainë dhe marijuhanë) në përbërje të të cilit janë shtetas shqiptarë, por edhe persona me shtetësi jo shqiptare. Të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike dërgoheshin te shtetasi nën hetim F. P. dhe referentët e tjerë të tij me anë të agjencive të transferimit të parave apo edhe kesh. Prokuroria tha se kreu I grupit është shpallur në kërkim ndërkohë që është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, për shtetasen me iniciale A.A., e konsideruar si bashkëpunëtore e kreut të grupit F.P.

Operacioni në Lezhë vjen pak ditë pasi në këtë qytet u vra nënkomisari i policisë, Saimir Hoxha pasi asgjësoi një parcelë me 62 rrënjë kanabisi. Operacioni u zhvillua paraditen e 28 shtatorit 2021 në Lezhë ndërsa efektivi i policisë u ekzekutua pak minuta pas aksionit pranë parcelës me bimë narkotike.

EMISIONET