Nuk pajtohet me dënimin për korrupsion, shërbëtori i Erjon Alibej do pafajësi në Gjykatën e Lartë

Leonard Palushi, ish-shefi i hetimit të krimeve kundër personit në Elbasan, i është drejtuar me një Rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar pafajësinë për sa i përket akuzës së “Korrupsionit pasiv”.

Zyrtari i policisë u arrestua nga SPAK gjatë operacionit “Plumbi i artë”, pasi i penduari Nuredin Dumani, tregoi se ishte pikërisht Palushi ai që i kishte ndihmuar Erjon Alibej për të ndryshuar rrjedhën e hetimit lidhur me rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit.

Fillimisht Leonard Palushi, u arrestua për akuzën e “Shpërdorimit te detyrës”, por gjatë hetimeve të kryera atij ju shtua dhe akuza e “korrupsionit pasiv”, pasi i kishte marë Erjon Alibej një sasi monetare në euro dhe një automjet tip “Benz”.

Për dy veprat penale gjykata e posaçme vendosi të dënojë Palushin me akuzën e 3 vite e 6 muaj burg.

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i zbritet me 1/3 duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vite e 4 (katër) muaj burgim. Po kështu Palushit i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për një afat kohor 5-vjeçar.

Me këtë masë dënimi nuk është pajtuar Leonard Palushi, i cili në datën 5 dhjetor 2023 i është drejtuar me një rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar deklarimin e pafajshëm për akuzën e “Korrupsionit pasiv”.

Çështja në Gjykatën e Lartë pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Albana Boksi në ditët në vijim.

EMISIONET