Njëri u gjet i pajetë në lumin Lana, tjetri në një kanal, dy viktima në Tiranë e Pogradec

Dy persona u gjetën të pajetë gjatë ditës së sotme, në Tiranë dhe Pogradec.
Policia e Tiranës njoftoi këtë të mërkurë se në rrugën "Dhimitër Xhuvani", në lumin Lana, është gjetur nga banorët, pa shenja jete, një shtetas rreth 65 vjeç, ende i paidentifikuar.
Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë në Pogradec, rreth orës 10:00 policia është njoftuar se në fshatin Buçimas, në një kanal, është gjetur trupi i pajetë i një shtetasi. Viktima është identifikuar si shtetasi F. M., rreth 58 vjeç, banues në këtë fshat.
Nga këqyrja paraprake e trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së tij.


