Nisma “Ballkan i Hapur”, Çollaku: Takimi përpjekje për t’i kthyer fuqinë Serbisë si në kohën e ish-Jugosllavisë

I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Kreshnik Çollaku, ka komentua Forumin Ekonomik të mbajtur ditën e sotme në Shkup.

Sipas tij nisma “Ballkan i Hapur është një përpjekje ringjallje të Jugosllavisë së re, si dhe përpjekje për të rikthyer Serbinë në Ballkan.

Sipas tij me idenë për Minishengenin, është krijuar platforma më serioze dhe më e rrezikshme anti-bashkimit evropian në Ballkan.

“Kjo është një gënjeshtër e madhe. Është ndërlidhje midis Vuçiç, Ramës dhe Zaev, pra përkatësisht tre drejtuesve të tre vendeve ku duket se është kufizuar ajo që quhet Minishengen. Është një përpjekje për një kofederatë ballkanike, një ringjallje të Jugosllavisë së re plus Shqipërinë. Është një përpjekje për të rikthyer Serbinë në Ballkan, pas shpërbërjes së Jugosllavisë së vjetër , për ta rikthyer të njëjtën fuqi hegjemonike, shtrirjen influencës të Serbisë por në një markë të re. Flasim për lëvizje të lirë, ndërkohë që lëvizja e lirë ka 5 vite që aplikohet lirshëm.

Flasim për bashkim ekonomik, por edhe këtu qëndron pikëpyetja. Flasim për të drejta evropiane kur Serbia, refuzon të njohë Kosovën, e kërcënon madje edhe me Ushtri. Flasim për liri dhe të drejta evropiane, kur jo më larg se sot në selinë e PD, me përfaqësues të Preshevës, ku praktikisht na tregonin se shqiptarët e Luginës së Preshevës, ndodhen përpara një spastrimi etnik. E teksa Rama e Vuçiç përqafoheshin në Shkup, ne ishim duke biseduar me këta shqiptarë të Preshevës që na tregonin, se po spastrohet lugina nga shqiptarët e Preshevës. Tre vende të tjera Ballkanike, Mali I Zi e refuzon, Bosnja e refuzon në mënyrë kategorike, çdo forcë politike nga Kosova e ka refuzuar këtë projekt si një projekt që është i dëmshëm për Kosovën, është i dëmshëm për Shqipërinë dhe cenon paqen dhe stabilitetin në ballkan.

Zaev dhe sidomos Edi Rama, është duke i dhënë një bonus të jashtëzakonshëm Serbisë, Vuçiç, duke e shpallur duke e kamufluar,  jo më si drejtues që ka bërë 4 luftëra gjenocidiale në Ballkan, jo më si një vend që refuzon të njohë krimet, por si njeri i paqes dhe këtë po e bën Edi Rama. Kjo është ajo që ka ndodhur sot. Mendoj se me këtë idenë e Minishengenit është krijuar platforma më serioze dhe më e rrezikshme anti-bashkimit evropian në Ballkan.”

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.

EMISIONET