Nikolla i dërgon shkresë SPAK: Alqi Bllako nuk është më deputet i Kuvendit
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i ka dërguar shkresën zyrtare SPAK, se Alqi Bllako nuk është më deputet i parlamentit.
Tashmë kjo i hap rrugën SPAK të veprojë për arrestimin e Bllakos.
Alqi Bllako ka dorëzuar sot, 30 mars mandatin e deputetit pasi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e tij.
"Me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar kuvendit më datë 29 mars 2022 dhe urdhrit të kryetares së kuvendit po më 29 mars për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, mandatet dhe Imunitetit më datë 30 mars 2022.
Me bindjen e plotë se në fund të procesit do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt persona vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar ti hap rrugën e pakushtëzuar të proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë" shkruhet në letrën drejtuar kuvendit.
Mesditën e djeshme një agjent i Byrosë Kombëtare dorëzoi në Kuvend kërkesën për arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako.
Sipas SPAK nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e shtetasit Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Gjithashtu Bllako akuzohet edhe për procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inciniratori i Fierit.
Ndërkohë Kuvendi menjëherë pasi Alqi Bllako dorëzoi mandatin, njoftoi SPAK-un për anulimin e mbledhjes së komisionit të mandateve.

