Ndodhi tek Gjiri i Lalzit/ Burri heq me forcë flamurin turk dhe e hedh në det, arrestohet pasi publikoi videon online
Një 48 vjeçar është arrestuar pasi hoqi me forcë flamurin turk nga një vendrojë detare në Gjirin e Lalzit.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Durrës, pas disa orësh kërkime, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Sh. S, 48 vjeç, banues në Mazrek, Tiranë.
“Kapja dhe arrestimi i tij u bë për arsye se ky shtetas, gjatë kohës që ka qenë në plazhin e quajtur “Gjiri i Lalzit”, ka hequr me forcë nga një vendrojë detare, një flamur të shtetit turk, të cilin më pas e ka hedhur në mënyrë demonstrative në det. Ky veprim është filmuar me celular dhe më pas është postuar në rrjetet sociale, nga ky shtetas” informon policia e Durrësit.
Policia e kishte shpallur në kërkim pasi ishte fshehur pas ngjarjes.
Pas kërkimeve nga Policia u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i tij për veprat penale "Nxitja e urrejtjes ose grindjeve" dhe "Prishja e rendit dhe qetësisë publike".
Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.




