Ndërtimet në zemër të Nartës/ Trajçe: Nëse shkatërrohet kjo zonë, Mesdheu nuk ka më një tjetër si ajo
Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i PPNEA, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, ngriti shqetësimin për projektin ndërtimor që po avancon në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, pranë deltës së lumit Vjosa.
Sipas tij, ndërhyrja po zhvillohet në një nga zonat më të rëndësishme ekologjike jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Mesdheun, aty ku ruhet ende një bregdet i paprekur nga betonizimi masiv.
“Kjo është zona qendrore e Pishë-Poro-Nartës. Po flasim për një ekosistem të krijuar nga delta e Vjosës, me lagunën, dunat, pyjet bregdetare dhe biodiversitet që sot nuk gjendet më në pjesën tjetër të Mesdheut.”-tha ai.
Trajçe shpjegoi se i gjithë sistemi natyror është formuar nga sedimentet dhe dinamikat e lumit Vjosa gjatë mijëra viteve, duke krijuar një ndërthurje të rrallë të ujërave të ëmbla dhe të kripura, pyjeve me pisha dhe dunave ranore.
Ai tha se zona përfaqëson një nga ekosistemet më të paprekura në rajon dhe çdo ndërhyrje në këtë territor rrezikon të ndryshojë përgjithmonë peizazhin natyror.
“Nëse kjo zonë shkatërrohet, nuk mbetet më askund në Mesdhe një vend që të tregojë si ka qenë dikur bregdeti përpara betonizimit dhe ndërhyrjeve masive të njeriut.”-u shpreh Trajçe.
Sipas tij, brigjet e vendeve si Spanja, Italia apo Turqia janë transformuar prej vitesh nga ndërtimet intensive, ndërsa delta e Vjosës, bashkë me sistemin Seman-Shkumbin, mbetet ende një nga zonat më autentike dhe ekologjikisht më të ruajtura në gjithë pellgun mesdhetar.
Ai paralajmëroi se ndërhyrjet në këtë zonë nuk prekin vetëm një pasuri shqiptare, por një trashëgimi natyrore me rëndësi europiane dhe ndërkombëtare.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:


