KRIMI MJEDISOR NË NARTË/ Ferruni: Resorti rrezikon të zhdukë pyllin dhe dunat, pasoja më të rënda se në Golem

Ambientalisti Lavdosh Ferruni, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në Ora News, ngriti shqetësimin për projektin e një resorti turistik në bregdetin e Vlorës në Nartë, duke paralajmëruar pasoja të rënda për një nga zonat më të pasura me biodiversitet në vend.

Sipas tij, zona përmban duna ranore, pyje me pisha dhe një ekosistem të ndërtuar prej mijëra vitesh, që funksionon si një i tërë dhe nuk mund të preket pjesërisht pa u dëmtuar plotësisht.

“Është një ekosistem i integruar. Janë dunat, pylli dhe flora përreth tyre. Në momentin që cënohet një hallkë, e gjithë zona merr fund.”-tha ambientalisti.

Ferruni tha se projekti parashikon sheshimin e terrenit me buldozerë dhe prerjen e pyllit për t’i hapur rrugë ndërtimit të resortit dhe godinave shumëkatëshe.

Ai bëri krahasim me zhvillimet në zonën e Golemit, por shtoi se situata në këtë rast paraqitet edhe më e rëndë për shkak të pasurisë natyrore që ka zona.

“Golemi filloi pak nga pak, me disa vila mes pishave. Këtu po flitet për rrafshim total të zonës dhe ndërtim nga e para. Meraku më i madh është që gjithçka kërkohet të bëhet shumë shpejt.”-shtoi ai.

Ambientalisti u shpreh se dunat kanë rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga erozioni dhe stuhitë, ndërsa humbja e tyre do të sillte pasoja afatgjata për gjithë zonën bregdetare.

Sipas tij, alternativa e vetme për të ruajtur ekosistemin mbetet ndërhyrja minimale dhe zhvillimi i kontrolluar, në të kundërt, zona rrezikon të humbasë përgjithmonë identitetin natyror.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

EMISIONET