Nderohet heroi Klajdi Mustaj/ Pas dekorimit nga Rama, i jepet edhe “Krenaria e Mallakastrës”
Një akt heroik në një ditë gushti e bëri policin e ri Klajdi Mustaj shembull të guximit dhe humanizmit. Pas dekorimit nga kryeministri, ai është nderuar edhe me titullin “Krenaria e Mallakastrës”.
Më 8 gusht, në Qafën e Koshovicës në Fier, një aksident automobilistik rrezikonte të shndërrohej në tragjedi të madhe. Një automjet i dëmtuar ishte pranë shpërthimit, ndërsa brenda tij ndodheshin katër persona të lënduar.
Në ato momente, efektivi 26-vjeçar i policisë, Klajdi Mustaj, ndërhyri pa u menduar dy herë. Ai i mori një nga një të plagosurit në krah dhe i nxori në anën tjetër të rrugës, duke u dhënë atyre një shans të dytë për jetë.
Ky veprim i jashtëzakonshëm nuk kaloi pa u vlerësuar. Kryeministri Edi Rama e dekoroi Mustajn së bashku me heronjtë e tjerë të verës që luftuan kundër flakëve
Ndërsa Policia e Shtetit i dha një bursë të plotë për të ndjekur Akademinë e Policisë në Turqi.
Nderimi për Klajdi Mustajn nuk u ndal këtu. Shoqata atdhetare kulturore “Mallakastra” i akordoi titullin “Krenaria e Mallakastrës”. duke e cilësuar si shembull që duhet promovuar në një kohë kur shoqëria përballet gjithnjë e më shumë me indiferencë.
Kryepolici Ilir Proda e përshkroi veprimin e Mustajt si një akt që nuk mësohet në asnjë trajnim, por lind nga brenda shpirtit.
Ky rast ka ngjallur jehonë pozitive dhe është konsideruar si një thirrje për të çmuar e promovuar heronjtë e heshtur të përditshmërisë.

