“Ndaloni lajmet!” Prokuroria e nxjerr inatin me median për materialet sekrete të hakerave

Edhe pse nuk ka asnjë të dhënë se si u shpenzuan paratë për mbrojtjen kibernetike, prokuroria e policia vendosin të gjejnë zgjidhjen duke bllokuar lajmet në media. Pa asnjë vendim dhe vetëm me një tekst të çuditshëm në whatsapp thuhet se publikimi i sekreteve të policisë të grabitura nga iranianët, sjell cënim të sigurisë kombëtare. Nga ana tjetër avokatët shprehen se kërkesa është e pavlefshme pa një vendim gjykate.

Që prej sulmeve të para të hakerave nuk ka asnjë hetim për fondet e dhëna për sigurinë kibernetike, por në mënyrë të paprecedentë dhe me një formë ofenduese prokuroria dhe policia kanë njoftuar se media nuk duhet të publikojë të dhënat e institucioneve shtetërore të marra nga sulmi iranian.

Si asnjëherë tjetër, njoftimi u shpërnda me tekst, pa shkresë dhe me shumë enigma në një grup whatsappi.

E pas kësaj as akuza e as policia nuk guxojnë të japin një informacion zyrtar, teksa në mesazh përmendet siguria kombëtare.

Në sulm, edhe pse televizionet nuk kanë asnjë shkresë apo kërkesë zyrtare, AMA është hedhur në sulm duke deklaruar se ka bërë monitorime.

Edhe pse media i është përgjigjur ftesës për të mos i dhënë zë armikut, ka qenë Unioni i Gazetarëve që e ka kundërshtuar kërkesën, duke theksuar se është cënim i lirisë.

Megjithatë kërkohet nga stafet të bëhet kujdes në zbulimin e të dhënave sensitive, edhe pse ato tashmë janë edhe në media të huaja.

Një tjetër pikëpyetje është edhe vendimi i prokurorisë pa një vulë gjykate, që për avokatin Alban Qafa është i detyrueshëm.

"Urdhri është i përgjithshëm, nuk ka asnjë bazë ligjore.Nuk mund të nxirret një urdhër kuturu për të gjithë emailet që janë hakëruar dhe përmbajtjen e tyre. Duhet përcaktuar qartë cila përmbajtje përbën sekret shtetëror apo cënon sigurinë kombëtare. Duhen njoftuar mediat, gazetarët që ndjekin çështjet,duhen thirrur, duhet të firmosin që ky email përbën çështje të sigurisë kombëtare dhe nuk duhet publikuar. Një urdhër i përgjithshëm i publikuar në media është një urdhër i pambështetur në legjislacionin penal."

Në rast se jemi përpara një cënimi të sigurisë kombëtare sipas Qafës, prokuroria duhet të kishte bërë saktësime.

"Nuk mund të jepet një urdhër për çdo informacion që është hakëruar nga iranianët dhe publikohet në media. Duhet të jetë i përcaktuar për një çështje të veçantë që ka një informacion që përbën sekret shterëror apo cënon sigurinë kombëtare."

Në këto kushte sipas avokatit ky vendim nuk ka vlerë ligjore, ndërsa prokuroria duhet të kryejë një hetim më të thellë për shkaqet e thyerjes së sigurisë në këto institucione të rëndësishme. 

EMISIONET