Nano zbret në terren, sheh me dylbi për mjete në det, porosi policëve: Keni në dorë jetën e njerëzve!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano duket se ka dalë në terren tashmë pas ngjarjes së rëndë në Himarë.
Nano mesditën e sotme, inspektoi masat shtesë të marra për rritjen e sigurisë në plazhe.
Ai ishte i shoqëruar nga Drejtori i Policisë Lezhë, Vehbi Bushati, ku zhvilloi një takim me efektivët e Stacionit të Policisë Shëngjin dhe më pas me efektivët e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, të cilët mbulojnë zonën bregdetare në qarkun Lezhë.
Nano kërkoi nga drejtuesit e strukturave, si dhe nga efektivët, angazhim dhe përkushtim, për zbatimin me rigorozitet të detyrave dhe masave shtesë të caktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve që cenojnë jetën dhe shëndetin e pushuesve në plazhe e zona turistike.
Nano: Punoni me përkushtim dhe përgjegjësi, pasi detyra që kryeni është sa e vështirë, aq edhe fisnike. Me punën, angazhimin dhe ndershmërinë tuaj keni në dorë jetën e sigurinë e qytetarëve, imazhin e Policisë së Shtetit, si dhe të vendit në tërësi. Ky është privilegj, po aq edhe përgjegjësi, ndaj mos neglizhoni askënd, cilido qoftë, zbatoni ligjin e vetëm ligjin dhe shërbejuni qytetarëve me përkushtim e humanizëm.
Nano, bashkë me drejtuesit e policisë vendore e kufitare, ka inspektuar nga afër masat shtesë ku gjatë vrojtimit me dylbi dhe kamera nuk është konstatuar asnjë mjet lundrues në zonat ku ka pushues.