Momentet para vrasjes së 27 vjeçarit Qema, autori qëndron me armë në dorë afër tavolinës

Ky është lokali në zonën e "5 Majit" në kryeqytet ku mbrëmjen e të hënës, 10 maj, u kthye në një skenë krimi. Mehmet Qema, 27 vjeç u vra nga shoku i tij Marjus Dema.

Dy të rinjtë të shoqëruar edhe nga persona të tjerë po qëndronin në ambjentet e jashtme të godinës deri në momentin që arma shkrepi.

Siç shikohet edhe nga videoja e fiksuar nga kamera e sigurisë vetëm pak çaste para ngjarjes, duket Marjus Dema me një armë teksa kryen veprimë të rrezikshme pasi pistoletën e ka ngritur drejt personave të tjerë.

Pas vrasjes së 27-vjeçarit, Mehmet Qema, me një plumb në gjoks, policia identifikoi autorin dhe e shpalli në kërkim bashkë me gjashtë persona të tjerë, por arratia e tyre zgjati vetëm pak orë.

Fillimisht në polici u dorëzua i dyshuari si autor Marjus Dema së bashku me Frenkli Myftarin, ndërkohë që personat e tjerë shkuan vetë në polici pas mesditës të martës, 11 maj.

Shtetasit Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti dhe Xhuliano Koçi u arrestuan me akuzat e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë hetimet.

Më herët në vendngjaje u panë agjentë të Antikrimit Ekonomik që kryen kontrolle e verifikime ndërsa duket se prania e tyre lidhej me zbulimin e një pajisje për kriptomonedha, e cila ishte instaluar në katin e dytë të godinës në një ambient që thuhet se ishte marrë me qira.

Pikërisht për ti kërkuar shpjegime në lidhje me pajisjen e kriptomonedhave por edhe për të zbardhur dinamikën e ngjarjes si dhe për të gjetur armën e krimit, policia e shoqëroi autorin e dyshuar në vendin e ngjarjes duke marrë dëshminë e tij për mëse një orë.

Gjatë dëshmisë në polici i riu ka pretenduar se ngjarja ka qenë aksidentale pasi nuk e dinte që arma ka qenë e mbushur dhe e rrezikshme. 

Viktima Mehmet Qama njihej si shoqërues i personazheve të njohur të muzikës, artit dhe shoëbizit, të paktën sipas postimeve që ka kryer në rrjetet sociale ndërkohë policia thotë se 27-vjeçari ishte edhe pa precedent penal.

EMISIONET