“Misioni i LSI ka përfunduar”, Panariti: Ndodhemi në krizë ekzistenciale, ja synimet e Partisë së Lirisë
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndryshuar emrin dhe që nga dje tashmë do të quhet Partia e Lirisë.
Për të folur në lidhje me këtë dhe kalimin e Ilir Metës në krye të Partisë së Lirisë pas lënies së mandatit të presidentit, në Ora News, ishte i ftuar ish-drejtori i kabinetit në presidencë, Edmond Panariti.
Ai tha se misioni i LSI është përfunduar ndërsa shtoi se vendi ynë ndodhet në një krizë ekzistenciale.
Edmond Panariti: Ka ndryshuar LSI e cila tashmë është drejt një formësimi të një formacioni të ri politik, e quajtur Partia e Lirisë. Misioni I LSI-së është përfunduar, situata në Shqipëri nuk është më situata e para 5 viteve apo e më shumë viteve, por shumë më keq. Ne ndodhemi para një situate që do ta quaja krizë ekzistenciale. Këtë e lidh me shpopullimin e rëndë që po pëson vendi.
Më tej ai shtoi se shpopullimi është një emergjencë akute për brezin e ri, ndërsa tregoi se cili është qëllimi i Partisë së Lirisë.
Edmond Panariti: Kjo po kthehet në një emergjencë akute për brezin e ri dhe kjo është një dramë e madhe kombëtare. Zbrazja e vendit është cenim i sovranitetit të tij, i lirisë për të jetuar dhe për të ushtruar aktivitetin social ekonomik. Ne duam të kthejmë shqiptarët në Shqipëri, t’u mundësojmë atyre për të jetuar.
Ai ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se ka marrë të gjitha pushtetet ndërsa shtoi se parlamenti po miraton ligje antikushtetuese dhe pa vendimarrjen e opozitës.
Edmond Panariti: Shqipëria tashmë po drejtohet nga një parti e vetme. Për më shumë se 8 vite drejtohemi nga një dorë e vetme që kontrollon në mënyrë absolute çdo gjë. Opozita është totalisht e përjashtuar, nuk është pjesë e vendimarrjes, kjo ka rritur autarkinë dhe despotizmin e partisë për të firmosur e vulosur atë që ka qejf. Parlamenti vazhdon të kthehet në një zyrë noteriale të qeverisë, për fat të keq po kalohen dhe ligje anti-kushtetuese.
Po ashtu ai fajësoi dhe opozitën pasi sipas tij kjo e fundit i ka lënë hapësirë mazhorancës.
Edmond Panariti: Ishte përgjegjësi e rëndë e opozitës që la hapësirë, që u shfrytëzua nga mazhoranca që kaloi me dhjetëra ligje kushtetuese. E vetmja barrierë, ishte Presidenti, i cili sa kishte të mundur pengoi ligjet. Me kokëfortësi mazhoranca i rikthente sërish. Ne krijuam një situatë dominimi. Ky ishte një motiv për ta quajtur Partia e Lirisë, pra liri ekonomike, politike, sociale.
Intervistoi Everest Dedaj, përgatiti Anila Kolgjini.

