Partia e Lirisë është e majtë apo e djathtë? Ja si përgjigjet Meta: Do jemi në zgjedhjet vendore 2023
Ilir Meta dëshiron që në ideologjinë e Partisë së Lirisë, forcës së re politike me struktura të vjetra të LSI-së, të mos ketë në qendër ideologjinë e majtë dhe të djathtë por patriotizmin.
Partia e Lirisë është e majtë apo e djathtë?
Ilir Meta: Liria është e majtë apo e djathtë, sovraniteti është i majtë apo i djathtë? Është gjithëpërfshirëse. Këtu jemi në një moment kur nuk kemi të bëjmë të majtë apo të djathtë. PS është e majtë? Të jetë në pushtet dhe nuk jep asgjë për familjet shqiptare është e majtë apo jo?!"
Ish-presidenti tregon që ka vetëm dy mënyra për të larguar Edi Ramën nga pushtetit, ndërsa zbulon që Partia e Lirisë do të regjistrohet për të marrë pjesë zgjedhjet vendore të 2023.
A do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore?
Ilir Meta: Për aq kohë sa unë do të jem lideri i saj asnjë sekond nuk do të bojkotoj asgjë në këtë vend. As seanca parlamentare aq më tepër që të shkojë mendja të bojkotoj zgjedhjet. Të gjithë ata që kanë pyetur si do të ikë qeveria do të ikë me zgjedhje ose me protesta, si të dojë. Ose me protesta dhe me zgjedhje. Në demokraci kush ikën nga zgjedhjet është dezertor.
Është i blerë si ai që i shiste zgjedhjet dhe i digjte mandatet dhe nuk regjistrohej në zgjedhje dhe ia linte fushën bosh e bënte sikur nxehej duke i djegur palmën. Ose është me problem e pa kapacitet politik. Unë nuk jam naiv të pres demokraci daneze. Partia e Lirisë është e vendosur të marrë pjesë dhe është e bindur në një triumf të madh jo vetëm të saj por të gjithë opozitës që do të bashkohet për të përmbysur këtë rregjim kleptokratik.
I etur për të rrëzuar nga pushtetit ish-aleatin e tij, shefin e mazhorancës Edi Rama, Ilir Meta është gati të bashkëpunojë me çdo forcë politike.
Ilir Meta: Do të komunikojmë me çdo parti për triumfin e Kushtetutës, të sovranitetit, të lirisë, të demokracisë dhe çmontimin e këtij regjimi kleptokratik. Nuk kemi asnjë përjashtim.
“Non grata” e Sali Berishës nuk e pengon Ilir Metën të bashkohet me kryetarin e PD për të luftuar në mënyrë demokratike qeverinë e majtë.
Ilir Meta: Unë respektoj vullnetin e çdo force politike.Në raste se qytetarët shqiptarë Sali Berisha, Ilir Meta, kanë shkelur ligjet e Shteteve të Bashkuara, kemi marrëveshje ekstradimi.Një gjë është e sigurt për mua, Sali Berisha nuk ka shkelur asnjë ligj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Emri i Lulzim Bashës është futur në listën e “non gratave” të Ilir Metës, edhe pse në 2020 ish-presidenti ishte i gatshmë të negocionte më të për të bërë rrotacion politik pas prishjes së marrëveshjes së 5 qershorit.
Ilir Meta: E kam thirrur Lulushin, hajde këtu ti. Mblidh opozitën këtu i kam thënë se këtu janë prishur rregullat e lojës. Dhe mos ki merak i kam thënë, organizimin e bëj unë dhe dal unë përballë. Ti vetëm do të thuash që ky do të jetë President, ta dinë shqiptarët. Nëse ne fitojmë ky do të jetë prapë President dhe ti do të jesh Kryeministër i thashë unë.
Një ditë pasi i ndryshoi emrin LSI-së, Ilir Meta, ka bërë publike edhe logon e re të Partisë Lirisë, me simbolin e shqiponjës.
