Minishengeni/ Vasili: S’inspiron asgjë politikisht, ‘i rëndësishëm’ për të shpërqendruar vëmendjen
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, Petrit Vasili, ka komentuar Minishengenin Ballkanik.
Vasili është shprehur se është një Minishengen i cunguar, që sipas tij nuk inspiron asgjë politikisht, dhe sipas tij është shumë ‘i rëndësishëm’ për të shpërqendruar vëmendjen, dhe për të krijuar alibi për aleancat e reja, jo perëndimore.
Ai thotë se për për anëtarësim në BE, qeveria duhet të zbatojë disa standarte bazë që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit të së drejtës, pa pasur nevojë për iniciativa shtesë.
"Ne kemi një rrugë evropiane shumë të qartë, të përvijuar edhe në pikëpamjen formale dhe në pikëpamjet politike, e cila nuk ka nevojë për asnjë inciativë tjetër shtesë. Raporti ynë me BE, është një raport i drejtpërdrejt i ndërtuar mbi disa marrëveshje, me pranimin e mëtejshme të kërkesës së Shqipërisë për të qenë një vend që ka mundësi të vazhdojë procesin për rrugën e integrimit në BE, dhe jemi në prag të një moment tjetër që është ai i hapjes së negociatave për antarësim.
E gjithë kjo rrugë nuk ka brenda asnjë iniciativë, nuk ka brenda asnjë minishengen, apo makroshengen, ka një rrugë të qartë, që duke plotësuar të gjithë ato standarte që janë standarte bazike, që kanë të bëjnë me funksionimin e shtetit të së drejtës, që kanë të bëjnë me sigurinë në vend kanë të bëjnë me luftën e trafiqeve, kundër korrupsionit, kundër pastrimit të parave, kundër zgjedhjeve të manipuluara e të trafikuara, pra kjo rrugë është shumë e qartë dhe nuk ka nevojë për asnjë inciativë shtesë.
Minishengeni është një produkt, që personazhe të caktuara ballkanik, të cilët kanë aspirate për të luajtur me shumë porta, lindje, perëndim duke e pasur vështirësi të përmbushin ato standarte që demokracia evropiane kërkon dhe të qenurit një vend evropian kërkon, kuturisen dhe promovojnë nisma të tilla siç është minishengeni ballkanik. Deri vite me radhë, ne kemi qenë shumë të qartë në rrugën tonë.
Vite më parë, po ky Kryeministër, u ka shpërndarë dhe dekorata ambasadorëve për hapjen e negociatave, si rruga e vetme për integrimin evropian. Në të gjitha këto nuk ishte kusht se duhej të krijohej një minishengen. Një minishengen i cunguar, i cili është bërë domen i disa liderave, një minishengen që nuk inspiron politikisht asgjë, por shumë ‘I rëndësishëm’ për të shpërqendruar vëmendjen, por më e keqja për të krijuar alibi për aleancat e reja, jo perëndimore.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini


