Samiti i Berlinit, Rama: Nacionalizmat e BE po na vështirësojmë procesin e integrimit
Kryeministri, Edi Rama, shfrytëzoi takimin e procesit të Berlinit për të kritikuar Bashkimin Europian të cilin e etiketoi si një faktor që e vështirëson procesin e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me anë të qëndrimit të saj nacionalist.
Kryeministri, Edi Rama, në fjalën që ka mbajtur në Samitin e Berlinit, nuk ka kursyerkritikat për BE.
Ai i është drejtuar kancelares gjermane duke i thënë se atë që nuk po e mban gjallë atë që Bashkimi Evropian po e shuan, duke iu referuar kështu nacionalizmave të Ballkanit.
Sipas tij, BE po shfaq nacionalizma që po vështirësojnë procesin e integrimit për Shqipërinë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Faleminderit shumë Angela. Do të doja që të të falenderoja sinqerisht që keni iniciuar dhe jeni angazhuar në këtë proces. E di që s’të pëlqejnë lëvdatat. Por mendoj se procesi që keni nisur ka qenë i rëndësishëm për të mbajtur gjallë atë që Bashkimi Europian po shuan . Flakën e shpresës tek e ardhmja. Thënë këto, mendoj se është shumë e rëndësishme që të kemi më shumë autorësi në proces.
Është e rëndësishme që procesi të kombinohet me përpjekjet e shtuara të Komisionit bazuar në planin e ri ekonomik dhe të investimeve. Sigurisht është e trishtë dhe të gjithë e dinë që ndërkohë procesi i integrimit të rajonit që dikur shihej dhe tregohej si rruga e duhur për të nënshtruar nacionalizmat është shndërruar në një proces që shtypet nga nacionalizmat e BE-së. Ja që, herë aty e herë këtu, nacionalizmat në BE janë duke e ndërlikuar rrugën tonë në Be dhe po luajnë rolin e kundërt. Gjithsesi, siç do të thoshte edhe legjendari Donald Trump: Është ajo që është! (It is what it is!) Kështu na duhet të ecim para me ato që kemi dhe mendojmë se procesi i Berlinit dhe ajo që është nxjerrë prej tij është shtylla më e fortë e shpresës për të ardhmen."
Më tej Kryeministri është shprehur se është e rëndësishme që të ecin shpejt në mënyrë që të shmangin kurthin për të qenë karikaturë e BE. Ai ka bërë me dije se në planin e BE, 2021-2027 Ballkani do të marrë 507 euro për frymë, ndërkohë Kroacia do të marrë 5195 euro për frymë.
Rama shprehet se Shqipëria është e bindur dhe do të inkurajojë në përshpejtimin e procesit, teksa shton se nuk do të ketë konsensus me kusht për çdo gjë, por do të kërkohet gjithpërfshirje
"Dua të theksoj këtu atë çka pata shansin të ndaja drejtpërdrejt me kancelaren, që është shumë e rëndësishme që të ecim më shpejt, e ndërkohë që ecim shpejt duhet të shmangim kurthin që të shndërrohemi në një karikaturë të Bashkimit Evropian. Që të bëhemi viktimave të vetove të ndësjella, apo të nevojës për konsensus! Kjo nënkupton tashmë se objektivat I kemi shumë të qarta.
Ajo që tha tani Ursula është një panoramë, mjaft e qartë se çfarë duhet të bëjmë. Veprim për tregun e përbashkët rajonal, planin ekonomik dhe të investimeve si dhe zbatim më të plotë të mundshëm të katër lirive të Evropës. Ne nuk kemi iluzionin se të gjitha këto, do të na shpëtojnë nga hendeku shumë, I madh midis nesh dhe Bashkimit Evropian, pasi sa për të ju dhënë vetëm një shifër, në planin e BE, 2021-2027 Ballkani do të marrë 507 euro për frymë.
Pa bërë krahasime me të tjerët, por vetëm me Kroacinë. Ajo do të marrë 5195 euro, natyrisht që janë të mirëmerituara, por është ajo që është. Në fund duhet ta përmbyll duke thënë se Shqipëria është e bindur dhe do të inkurajojë në përshpejtimin e procesit. Nuk do të kërkojmë konsensus me kusht për çdo gjë. Do të kërkojmë për gjithpërfshirje. Një proces me të gjithë që duan ta përshpejtojnë. Me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, dua të bëj të qartë se nuk vendosur që të ndajmë gjësend, askënd por thjesht kemi vendosur të ecim sa më shumë që të jetë e mundur duke përsëritur se të gjithë janë të mirëseardhur.
Por duke deklaruar gjithë kohës se nuk do të presim askënd. Rruga është e hapur. Objektivat janë të qarta, varet nga në që të ecim para se të jetë e mundur, duke shpresuar që nga ana e BE do të ndodhë e njëjta gjë. Më duhet të them se Komisioni, presidentja dhe sidomos Komisioneri Verheyli po shpëtojnë fytyrën e Bashkimit Europian në Ballkan."
Presidentja e KE-së kërkon përshpejtimin e procesit të zgjerimit
Samiti i Ballkanit Perëndimor, i ashtuquajtur ‘Procesi i Berlinit’, i cili u organizua nga kancelarja gjermane Angela Merkel, me qëllim përparimin e bashkëpunimit mes Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian dhe të axhendës së integrimit.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, theksoi se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Faleminderit i dashur Edi për tablonë mjaft të drejtpërdrejtë sipas këndvështrimit tuaj. Kemi folur së fundi në telefon dhe shpresojmë që do të bëjmë progres. Në vijim, në listën time është presidenti Bosnje dhe Hercegovinës".
Ndërkohë, Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen tha se prioritet i parë është përshpejtimi i axhendës për zgjerimin në të gjithë rajonin dhe mbështetja e partnerëve Perëndimor.
"Prioriteti ynë i parë është të përshpejtojmë axhendën e zgjerimit në të gjithë rajonin dhe të mbështesim partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor në punën e tyre për të kryer reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre drejt BE-së. Së bashku ne kemi vendosur kursin për një Evropë më të qëndrueshme, më dixhitale dhe më elastike".
Nga ana tjetër Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, theksoi se mbyllja e hendekut socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe BE është thelbësore për procesin e Zgjerimit.
"Ne po sjellim mundësi të konsiderueshme investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve, me vlerë afër 30 miliardë €. Tani i takon rajonit t'i përdorë ato mirë duke shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke vendosur një Treg të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat e BE. Krijimi i 'Linjave të Gjelbërta' në pikat kufitare brenda të gjithë rajonit së pari, dhe tani pilotimi i kësaj me një Shtet Anëtar të BE-së është një ilustrim perfekt i mënyrës se si mund të funksionojë kjo".
Komisioni bëri thirrje për përparim të mëtejshëm në integrimin ekonomik në mënyrë që vendet e rajonit të përfitojnë plotësisht nga investimet e planifikuara.


