Çmimet në jug, Zv.Ministrja: Nuk ju çon njeri me zor, s'jemi në komunizëm
Qytetarët i kanë konsideruar shpesh si abuzive çmimet gjatë sezonit turistik. Në puntatën e parë të Ora Verore, zëvëndësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, ka deklaruar se njerëzit kanë mundësi të zgjedhin vendin me çmimin që ju përshtatet. Në lidhje me ndalimin e muzikës në orën 22:00, Çuçi u shpreh se ky është një vendim që i përket Komitetit të Ekspertëve.
Ora Verore ka startuar në këtë sezon nga Lezha. E ftuara speciale ishte zëvëndësministrja e e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, e cila iu përgjigj ankesave të pushuesve për çmimet e kripura.
Por sipas saj gjithçka ka të bëjë me zgjedhjen e individëve.
Ronaldo Sharka: Njerëzit çojnë shpesh te JOQ (media online) fatura, për tu ankuar rreth çmimeve të shtrenjta. Vazhdon të jetë një mit legjendar, apo vazhdon të jetë problem?
Ornela Çuçi: Ti Ronaldo, unë edhe Feridja jemi të lirë të shkojmë, ose mos shkojmë në një restorant. Nuk na thotë njeri, që ti duhet të shkosh me patjetër aty, ku zotëria në fjalë abuzon me faturën dhe me çmimin. Është një sektor i sapolindur, është një sektor që tani ka hedhur bazat e vërteta.
Secili prej bizneseve dhe individëve që i drejtojnë këto biznese, do të duhet të mendojnë për nesër. Por ti je i lirë që të shkosh aty ku fatura të shkon 250 euro nata, siç je i lirë të shkosh dhe aty ku fatura të shkon 15 euro nata. Dhe Shqipëria i ofron të gjitha këto.Pra mos të futemi te legjendat urbane, që ka fatura jashtë parametrave.
Ronaldo Sharka: Unë vjet në Ora Verore, kisha mundësi të haja në vendte të shtrenjta, por kisha mundësi të shkoja edhe në restorante të lira nëpër fshatra.
Ornela Çuçi: Në fakt këtu duhet të falënderojmë dhe mediet me të gjitha emisionet që bëjnë. Mediet reklamojnë edhe atë që e ka faturën e lirë edhe atë që e ka faturën e shtrenjtë.
Çuçi thekson më tej se jo për çdo gjë i duhet drejtuar gishti qeverisë.
Ronaldo Sharka: Ka shteti akses për të kontrolluar një biznes, që unë mos ta pi birrën në jug 14 mijë lekë të vjetra? E kam pirë para dy javësh.
Ornela Çuçi: Edhe unë do doja që për çdo problemin tim të hap dritaren, t'i drejtohem qeverisë dhe ta shaj. Do doja shumë ta bëja këtë gjë, gjatë gjithë kohës. Por jo gjithçka varet nga shteti. Qytetarët duhet patjetër ta kuptojnë këtë. Fatmirësisht Shqipëria ofron shumëllojshmëri çmimesh.
E pyetur nga moderatori Ronaldo Sharka për ndalimin e muzikës pas orës 22:00, zëvëndësministrja ja delegoi kompetencat Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Formati televiziv Ora Verore transmetohet çdo ditë live në dy ekrane, në 19:00 në RTV Ora dhe 23:00 në Ora News.
Për të parë intervistën e plotë klikoni linkun: https://www.youtube.com/watch?v=DIGAsFGeUCo

