Meta: Struci i Rilindjes është fshehur, Rama do të japë llogari për të gjitha krimet e tij
Ilir Meta e cilësoi frikacak kryeministrin Rama, i cili sipas tij po fshihet për t`i shpëtuar llogaridhënies për lidhjet me ish-agjentin e FBI-së.
Nga bulevardi para Kryeministrisë, Meta siguroi mbështetësit e opozitës se Edi Rama do të japë përgjigje për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
Meta: Struci i Rilindjes është fshehur si një frikacak nga frika që ai ka nga përballja me të vërtetën dhe me popullin, e me dëmet që i ka shkaktuar atij, Edi Rama në 10 vite e përdori pushtetin për interesat e tij mafioze dhe për të kapur shtetin. Ai është i gatshëm që të kënaqë çdo mafioz që të shtyjë edhe disa ditë në pushtet. Afera Rama McGonigal, është edhe afera që ka derdhur kupën e zemërimit popullor.
Edi Rama do të japë llogari deri në 1 për të gjitha shkeljet e kushtetutës që ka bërë. Do të japë llogari për të gjithë ligjet e nismat e refuzuara të opozitës në kuvend. Rama do të japë llogari edhe për bllokimet e komisioneve hetimore në kuvend, sepse ka frikë nga hetim. Do të japë llogari për përjashtimin e deputetëve nga kuvendi në mënyrë staliniste.
Kreun e qeverisë e bëri përgjegjës për korrupsionin, varfërinë dhe shpopullimin e vendit.
Foli në emër të popullit e tha se ai kërkon ndryshim me çdo çmim.
Drejtuesit e opozitës njoftuan të tjera protesta dhe kërkuan nga qytetarët mbështetje e pjesëmarrje.