Mesazhet e fundit si kreu i SPAK-ut/ Altin Dumani me studentët e Durrësit: Na është dashur të arrestojmë edhe kolegët tanë. Ja situata Krim-Polici! S’ia kam dhënë askujt mundësinë të ...

Kreu në detyrë i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ku foli hapur për punën, sfidat dhe parimet mbi të cilat ka ndërtuar karrierën e tij.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi: “Unë jam një prokuror si gjithë prokurorët e tjerë, të cilit iu dha mundësia në vitin 2022 të drejtoj këtë institucion.

Ka qenë vërtet nder për mua ta drejtoj këtë institucion në këto 3 vite shumë intensive dhe të vrullshme. Unë kështu e kam ndërtuar karrierën time, që nga dita e parë që kam futur këmbët në sistemin e drejtësisë.

Kam ushtruar detyrën gjithmonë i pavarur, kam refuzuar çdo ndërhyrje, nuk i kam dhënë mundësinë askujt të ndërhyjë në punën time. Kam respektuar bindjen time të brendshme dhe jam përpjekur t’i qëndroj besnik ligjit dhe provave”, tha Dumani.

Po ashtu, kreu në detyrë i SPAK-ut foli edhe për korrupsionin si fenomen.

“Korrupsioni është një plagë që prek të gjitha institucionet. Na është dashur t’i vëmë përpara përgjegjësisë edhe kolegët tanë. Në këto vite, numri i policëve të hetuar për korrupsion apo vepra të tjera penale është mbi 70.

Fatkeqësisht, në hetimet tona kemi konstatuar funksionarë të lartë policie si pjesë të organizatave kriminale apo grupeve të strukturuara kriminale. Nuk janë vetëm nga policia, por edhe nga gjyqësori.

Një gjyqtari i është atribuuar edhe vepra penale si pjesëmarrje në organizatë kriminale. Policia e Shtetit na ka rezultuar e implikuar në vepra penale, në mënyrë absolute”, u shpreh Altin Dumani.

EMISIONET