Masakra në Velipojë për shezlonge, qeveria akoma nuk ka ndarë lejet për shfrytëzimin e plazhit

Hapësira për shezlonget në plazhe u mori jetën 4 personave dhe plagosi 2 të tjerë, orët e para të mëngjesit të sotëm në Velipojë.

Familja Verracaku dhe Gocaj ishin pronarë të dy hoteleve pranë njëri-tjetrit dhe mos ndarja e hapësirës së plazhit, ka çuar konfliktin mes tyre deri në ngjarjen e rëndë.

Ndërkohë, mësohet se zyrtarisht në Velipojë ka vetëm 1 kontratë lidhur për plazhin sa i përket shezlongeve.

Po edhe pse sezoni turistik ka filluar tashmë, situata shfaqet kaotike pasi këtë vit nuk janë ndarë akoma lejet për hapësirat për shfrytëzimin e plazhit.

Sipas burimeve, behët me dije se kjo situatë është zvarritur deri në më tani, çka ka prodhuar edhe konflikti, ku më i rëndi ishte ai i sotmi me 4 viktima.

Si merret leje për hapësirë plazhi?

Qysh nga viti i kaluar, një leje për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit merret në platformën e-Albania ku mund të aplikohet për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Sipas shërbimit online në e-Albania, “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë si stacion plazhi” subjektet turistike kanë mundësi që të aplikojnë për shfrytëzim të stacionit të plazhit për sezonin turistik.

Përmes tij shërbimi operatorët turistikë mund të kryejnë lehtësisht, pa asnjë kosto, procedurën e aplikimit online në e-Albania, duke ngarkuar dokumentet e kërkuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Subjektet, të cilat do të aplikojnë për leje, duhet të kenë paraprakisht planin e operimit për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit dhe foto të strukturës akomoduese të tij, dokumente që ngarkohen online në sistem.

Afati maksimal për marrjen e shërbimit është 9-12 ditë.

EMISIONET