Masakra me 3 viktima në Fushë-Krujë, Dogjani: Kanë marrë pjesë mbi 10 persona, të paktën tre automjete
Avokati dhe ish drejtuesi i policisë Asllan Dogjani në një intervistë për Ora News me gazetaren Anila Zyberi foli rreth ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në mbikalimin e Fushë- Krujës ku tre persona gjetën vdekjen nga një antenat.
Dogjani tha se në ekzekutimin mafioz duhet të kenë marrë pjesë mbi 10 persona si dhe janë përfshirë të paktën 3 automjete.
Asllan Dogjani: Para 1 muaji një rast tjetër ndodhi tek Tegu, edhe ajo u harrua shumë shpejt. Ndodhi në mes të rrugës, në një vend ku kishte trafik. Sapo kishte filluar sezoni turistik. Ngjarje të tilla të cilat nuk zbulohen nga ana e Policisë së Shtetit nxisin ngjarje të tilla dhe pothuajse pa kaluar 1 muaj ndodhi ngjarja e djeshme. Ndodhi në një aks ku trafiku nuk pushon asnjëherë. Aty duhet të kenë marrë pjesë mbi 10 persona për të ekzekutuar. Të paktën minimumi tre automjete, pa përfshirë persona të tjerë të cilët kanë dhënë informacione lidhur me “gjahun” ku ndodheshin personat të cilët u ekzekutuan.
“Të ndodh një ngjarje në zemër të Shqipërisë, në kulm të sezonit turistik ku të gjithë strukturat e policisë janë të angazhuar në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike do të thotë që shteti ka rënë. Shqipëria për mua është në një gjendje alarmante sa i përket rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh Dogjani.

