Masakra me 3 viktima në Fushë-Krujë, Diklen Vata doli nga makina por humb jetën në asfalt

Tre persona kanë mbetur të vrarë në një atentat të mirëfilltë mafioz rreth orës 14:30 minuta të së dielës në afërsi të mbikalimit të Fushë Krujës. Viktima të tij atentati mbetën Diklen Vata, Brilant Martinaj dhe Besmir Hoxha.

Autorët të cilët ndodheshin në makinën tip "Volswagen Passat", e njëjtë si ajo e viktimave, ishin pozicionuar tek mbikalimi i Fushë-Krujës.

Duket se ata kishin organizuar një pritë të mirë menduar duke mos lënë asnjë mundësi që shënjestra e tyre të largohej.

Sapo makina në të cilën ndodheshin Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj është futur në mbikalim është gjendur në breshërinë e plumbave, ku mendohet se autorët e kësaj masakre kanë zbrazur dy karikatorë automatikësh.

Vata, mësohet se ka dalë nga makina duke i mbijetuar fillimisht atentatit, por autorët sapo e kanë parë të gjallë janë kthyer dhe e kanë qëlluar sërish për vdekje.

Pasi kanë qëlluar me automatik drejt automjetit tip "Volswagen Passat” dyshohet se njëri prej atentatorëve ka hedhur dhe lëndë djegëse në pjesën e kofanos të makinës duke shkaktuar dhe flakët.

Në këtë konkluzion është arritur pasi është gjetur lëndë djegëse brenda makinës, por dhe në asfalt.

Pak minuta më vonë do të mësohej se makina e djegur e autorëve ishte gjetur në Larushkë dhe brenda mjetit është gjetur një automatik. Po ashtu një armë zjarri pistoletë është gjetur në makinën e viktimave.

Dhe kur kishte kaluar më shumë se 1 orë nga ngjarja Policia doli në një njoftim zyrtar, për atentatin e ndodhur në Fushë-Krujë. Pak minuta më vonë në vendngjarje do të mbërrin drekjtori i Policisë Kriminale Tonin Vocaj si dhe drejtues të policisë së Durrësit. Ndërkaq në hetime duket se janë përfshirë tashmë dhe prokurorët e posaçëm të SPAK-ut, të cilët po hetojnë pistat e konflikteve të grupeve të strukturuara kriminale.

Ndërkohë forcat RENEA dhe FNSH nisën kërkimet në fshatin Larushë ku u gjet makina e djegur e autorëve por edhe në Nikël të Krujës, pasi dyshohet se autorët janë prej këtij fshati të përfolur gjithmonë pas vrasjeve të bujshme.

Ndërkohë vlen të sqarohet se në vendin e ngjarjes nuk ka biznese pranë dhe nuk ka kamera sigurie për të identifikuar autorët, po ashtu edhe në vendin ku u gjet i djegur automjeti.

Por, sipas raportimit janë sekuestruar pamjet e sigurisë së disa bizneseve shumë pranë autostradës për të zbuluar itinerarin e autorëve para se të kryenin atentatin.

EMISIONET