"Lustracioni i PD", demokratët: Ish-sigurimsat jashtë politikës e institucioneve
Shkarkim nga detyra dhe ndalim për të marrë një funksion politik për 15 vite.
Këtë parashikon projektligji për lustracionin i depozituar nga grupimi i Enkelejd Alibeaj ditën e premte në Kuvend.
Funksionarëve në regjimin komunist si dhe ish-sigurimsave u jepet mundësia për tu vetëdorëzuar, duke kërkuar që rasti të mos u bëhet publik si dhe të ankimojnë vendimin për shkarkimin e tyre në Gjykatën e Apelit.
Projektligji përjashton vetëm ata të cilët kanë ushtruar aktivitetin e tyre në kushtet e shtrëngimit dhe kanosjes dhe individët nën moshë.
"Qëllimi i këtij projektligji nuk është aspak hakmarrja, nxitja e urrejtjes, konfliktit social, përçarjes. Por përmes një kuadri ligjor të detajuar synon të mbrojë institucionet e brishta shqiptare nga individë të cilët në të kaluarën e tyre kanë qenë të angazhuar në strukturat e larta drejtuese të regjimit totalitar komunist apo Sigurimin e Shtetit."
Kjo është nisma e katërt ligjore e deputetëve demokratë të grupit të Alibeajt kundër dekomunistizimit, nga shpallja muze e burgut të Spaçit dhe kampit të Tepelenës, hapja e plotë e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ndërgjegjësimi dhe kujtesa kolektive e deri te ndëshkimi publik.
Me 28 shtator deputetët e grupit të Berishës dorëzuan propozimin e tyre për lustracionin firmosur nga një diferencë prej 7 deputetësh më pak.
Megjithëse në parim të dy nismat parashikojnë që ti mbyllin derën politikës të njëjtëve persona, PD mbetet e përçarë në këtë drejtim.
Ndërkohë mazhoranca në draftin e saj për dosjet ka hequr dorë nga përjashtimi i ish-Sigurimsave nga politika me pretekstin se nuk e lejojnë organizmat ndërkombëtarë.

