Prag tragjedie në Shkodër, rrëzohet mbikalimi i këmbësorëve në Bahçallëk

Një mbikalim në lagjen “Bahçallek” në hyrje të Shkodrës u rrëzua të premten, pasi u godit nga një ekskavator në lëvizje, duke rrezikuar që të shkaktohet një tragjedi. Fatmirësisht në kohën e rënies së mbikalimit në aksin kryesor poshtë tij nuk kishte makina, ndërsa situata solli bllokimin për disa orë të aksit nacional.

Këto janë pamjet e mbikalimit në lagjen “Bahçallëk”, në hyrje të qytetit të Shkodrës.

Objekti i hekurt u shemb si pasojë e goditjes nga një mjet i tonazhit të rëndë.

Ky eskavator që po kalonte nën mbikalimin e këmbësorëve u bë shkaktar i rrëzimit, që fatmirësisht nuk la pas të lënduar.

Rrëzimi i mbikalimit e bllokoi rrugën në hyrje të Shkodrës duke krijuar trafik, ndërsa kalimi në aksin nacional Shkodër-Tiranë u devijua pak metra më tutje në vendin ku stacionohen autobusët e qytetit.

Pas aksidentit të eskavatorit me mbikalimin në vendngjarje mbërritën forcat e policisë vendore të Shkodrës, duke nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur, ndërsa u bë e mundur shoqërimi në komisariat i drejtuesit të eskavatorit, 60-vjeçarit S.Sh.

Sipas njoftimit policor ky shtetas duke transportuar një vinç me kamion, dyshohet se aksidentalisht vinçi ka goditur mbikalimin e këmbësorëve në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”, duke e rrëzuar pjesërisht atë. 

Shërbimet e Policisë e kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër, drejtuesin e kamionit, shtetasin S. Sh., 60 vjeç, banues në Shkodër.

Mjetet kamion dhe vinç janë bllokuar në cilësinë e provës materiale. 

Mbikalimi në lagjen “Bahçallëk” u rikonstruktua në dhjetor të vitit 2021 me një iniciative të Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen,deputetes së PS-së Edona Bilali.

Pas më shumë se një vit ky investim pas këtij aksidenti shkon dëm, por ajo që mungonte mbi të prej inaugurimit ishte tabela që sinjalizon lartësinë e mjeteve që lejohet të kalojnë nën të.

Njoftimi i Policisë Shkodër - Informacion paraprak

Rreth orës 12:00, është shembur pjesërisht mbikalimi i këmbësorëve, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”.

Në momentin e shembjes, nuk ka patur në lëvizje automjete dhe as këmbësorë.

Në vendngjarje janë shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrfikëses dhe të Entit Pronar të Rrugës, të cilët po punojnë për hapjen e rrugës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e shkakut të shembjes së mbikalimit.

EMISIONET