Kush është efektivi 23-vjeçar që u arrestua në Portin e Durrësit? Lejoi të dilte jashtë Shqipërisë një të kërkuar, që u kap me 522 mijë euro në qese në 2022-n

Kush është efektivi 23-vjeçar që u arrestua në Portin

Gledis Lushi, oficer policie me detyrë ndihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit u arrestua mbrëmjen e kaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore me akuzën se kishte lejuar të dilte jashtë vendit një person të shpallur në kërkim nga policia.

Sipas burimeve, Lushi kishte lënë të kalonte shtetasin Elidon Çela, pronari i kompanisë ‘Buon Aventura’, i cili 1 vit më parë u kap me 522 mijë euro të padeklaruara në një furgon në emër të kësaj kompanie që vinte në Portin e Durrësit nga Bari i Italisë. 

Pas arrestimit, për të gjykatat e kishin lënë me masë më të butë, por në 14 shtator Gjykata e Lartë riktheu atë në arrest në burg dhe u shpall në kërkim. Por ai ka kaluar në Portin e Durrësit më 17 shtator dhe është lejuar nga polici Gledis Lushi të kalojë në mënyrë të paligjshme. Çela ra në prangat e policisë pasi u rikthye në Shqipëri.

NGJARJA E 2022-it

Plot 522 mijë euro, me prerje të ndryshme 10, 20, 50 dhe 100 euro të ndara në 6 qese plastmasi, marketi ishin fshehur në tavanin e furgonit, pranë impiantit të kondicionerit. Furgoni  i linjës Padova - Lushnjë me targa AA 633 FZ,  vinte në Portin e Durrësit nga Bari i Italisë.

Në kuadër të operacionit 'Eurot' që u ndërmor më 21 tetor 2022 u arrestua Elidon Çela edhe 2 bashkëpunëtorë të tij, D. K., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe A. C., 32 vjeç, banues në Elbasan, konkretisht ndihmësi e drejtuesi i autobusit.

Elidon Çela është pronar i agjensisë së transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje dhe Padova. Çela nuk ishte emër i panjohur për policinë sepse edhe më herët është kapur duke transportuar para të padeklaruara, por në sasi më të vogla si dhe ishte kapur disa herë duke sjellë në Shqipëri mallra të vjedhura.

Në furgon janë gjetur edhe mallra të kontrabanduara (kafe, cigare, pije alkoolike, ilaçe, kuti me mentesha, karroca për fëmijë, elektroshtëpiake dhe veshmbathje).

Kush është efektivi 23-vjeçar që u arrestua në Portin

NJOFTIMI I AMP-së

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar një oficer policie me detyrë ndihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit pasi ka lejuar të kalojë për të dalë jashtë vendit një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në datë 22.09.2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka kryer ndalimin e oficerit të policisë Inspektor G.L., 23 vjeç, me detyrë Nd.kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit.

Ndalimi i tij u krye pasi dyshohet se në datë 17.09.2023 ka lejuar daljen jashtë shtetit nga PKK të një shtetasi të shpallur në kërkim për disa vepra penale.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

EMISIONET