Ku do të ketë zgjedhje? Çfarë ndodhi në 6 bashkitë të cilat për më shumë se dy vite janë pa kryetar
Kush janë 6 bashkitë pa kryetar dhe çfarë ndodhi me to që nga zgjedhjet e njëanshme të 30 qershorit 2019? Lexoni një historik të shkurtër.
6 bashki në vend drejtohen pa kryetar thuajse nga viti 2019. Shkodra ishte precedenti i parë. Për shkak se prekej nga ligji i dekriminalizimit, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga marrja e detyrës, ndaj detyrën e vijon Voltana Ademi, mandati i së cilës ka përfunduar prej afër 3 vitesh.
Durrësi vazhdon të jetë pa kryetar bashkie por për motive krejt të tjera nga bashkia e Shkodrës. Pas një emotivi që lidhej me tërmetin e nëntorit të vitit 2019, kryetarja Valbona Sako dha dorëheqjen nga posti, për t’u zëvendësuar me Emirjana Sakon.
E radhës do të ishte Bashkia e Vorës, ku shkak do të bëhej sërish ligji i dekriminalizimit, i cili do të prekte kryetarin e saj Agim Kajmaku.
Edhe bashkia e Rrogozhinës do të mbetej pa kryetar. Shkak ishte ndarja nga jeta e kryetarit, Haxhi Memolla, i cili u zëvendësua në detyrë nga nipi i tij, Edison Memolla.
Listës së bashkive pa kryetar do ti shtohej edhe Dibra. Dionis Imeraj, i cili mori mandatin në zgjedhjet e 30 qershorit pa kundërshtar, vendosi ta lërë mandatin e të zgjedhurit vendor dhe të kërkonte mandatin e deputetit. Karrigen e tij në krye të bashkisë e zuri Shkëlqim Murrja.
Bashkia e fundit që do të shtohej në listën e institucioneve vendore pa kryetar ishte ajo e Lushnjes. Kryebashkiaku, Fatos Tushe, u arrestua për korrupsion nga SPAK. Menjëherë kryeministri Edi Rama e shkarkoi atë dhe në vend të tij u emërua nënkryetarja e bashkisë, Eriselda Sefa.