Korçë/ Pas reshjeve të dendura, disa zona mbeten ende të izoluara

Pas reshjeve të ditëve të fundit, institucionet vendore në qarkun e Korçës raportojnë se situata është kryesisht nën kontroll, por disa problematika të rëndësishme vijojnë të jenë prezente në disa bashki rurale.
Në bashkinë Korçë, shërbimet e NSHP kanë ndërhyrë për pastrimin e urave të bllokuara, pritave dhe inerteve të grumbulluara nga rrjedhjet e ujit.
– Rruga Lekas–Mazrek është hapur, ndërsa
– rruga Lekas–Denas mbetet e izoluar, duke penguar lëvizjen e banorëve të zonës.
Bashkia Kolonjë – Ndërhyrje në rrugët rurale
Në Kolonjë, po punohet me fadroma në rrugën e fshatit Leshnjë, ndërsa:
– Segmenti Lubonjë–Rehovë–Korçë është riparuar dhe i kalueshëm.
Gjatë javës së ardhshme, inxhinierët do të kryejnë verifikimin teknik të të gjitha rrugëve të dëmtuara.
Bashkia Maliq – Dëmtime në ura dhe infrastrukturë
Ky është një nga territoret më të prekura:
– Në aksin Tre Urat – Velçan – Mesmal janë konstatuar dëmtime strukturore që kërkojnë ndërhyrje të thellë.
– Në fshatin Desmirë është dëmtuar ura këmbësore, ndërsa janë vendosur masa provizore për kalimin e banorëve.
– Fshatrat Gjinikas dhe Osojë raportojnë dëmtime të urave dhe rrugëve rurale.
Sipas Drejtorisë Qendër-Lindje të ARRSH, qarkullimi automoblistik është normal në të gjitha akset kryesore:
– Libonik–Rëmbec–Plasë
– Korçë–Voskopojë
– Librazhd–Sebisht
– Boboshticë–Dardhë
– Lapidari Podgorie – Podgorie – Liqenas
– Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras.
Nuk raportohet për reshje apo probleme të reja në qarkullim.
OSHEE – Furnizimi me energji pa probleme
OSHEE njofton se të gjithë fiderat janë funksionalë dhe nuk ka defekte në rrjet.
Pogradec, Pustec dhe Devoll – Punohet për rehabilitimin
– Pogradeci nuk raporton problematika të reja dhe po harton procesverbalet e dëmeve të shkaktuara.
– Në Pustec vijon pastrimi i përroit të Goricës.
– Në Devoll vazhdon puna për sistemimin e zonave të dëmtuara.

