Kontroll në hyrje të Universiteteve, studentët në auditore me maska dhe dokumentacion për Covid
Sot nis viti i ri akademik 2021-2022. Pas më shumë se një viti mësimi online studentët rikthehen në auditore, por me një kusht, studentët dhe pedagogët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit, një vërtetim që kanë kryer të paktën një dozë ose testin PCR për të hyrë në auditore.
Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi, raporton se çdo studenti që i drejtohet auditoreve i kërkohet në hyrje të të Universiteteve të paraqesë certifikatën e vaksinimit, vërtetim nga mjeku që e ka kaluar Covidin apo e ka të pamundur vaksinimin, ose test PCR negativ.
Sipas rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, nga një pyetësor i zhvilluar ka rezultuar se rreth 50 për qind e studentëve të pyetur janë vaksinuar kundër Covid me një dozë ose dy doza.
Pjesa e studentëve që nuk janë vaksinuar nuk e kanë opsion mësimin online, duke rrezikuar kështu vitin nëse nuk kanë një nga dokumentet e mësipërme.
Sipas Hoxhës, studentët që vijnë për herë të parë në universitet kanë edhe numrin më të madh të të vaksinuarve.
Sa i perket kuotave, 3912 studentë janë regjistruar në Universitetin e Tiranës dhe janë ende rreth 1200 vende të tjera në programe të ndryshme.
Këtë vit Universiteti i Tiranës kthen ciklin e doktoraturës pas shume vitesh mungesë, duke ju kthyer kështu normalitetit.