"Kohë për të thënë lamtumirë!" George Frendo tregon dy momentet kur Zoti i tha JO: Shqipërinë dhe shqiptarët do ti kem në zemër
Nga Katedralja e Shën Palit, Tiranë, imzot George Frendo njoftoi përfundimin e detyrës së tij si kreu i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës dhe emërimin në këtë detyrë të imzot Arjan Dodaj që prej katër vitesh ka qenë edhe ndihmësi i tij.
Në një fjalim të mbushur me emocione para besimtarëve, Frendo përshkroi të gjithë rrugëtimin e tij në Shqipëri teksa njoftoi se do të kthehet në vendlindje pak ditë pas inagurimit të arqipeshkvit të ri.
Ceremonia për këtë të fundit do të mbahet më 22 janar.
George Frendo: Punën më të madhe për për ditë dhe hap të ri e ka bërë nunci. Në të kaluarën kur përurohej një Papë i ri në ceremoninë e rastit ndërsa digjej një fije liri këndohej tri herë një antifonë në latinisht "Kështu kalon lavdia e botës." Për fat të mrë sot nuk këndohet më sepse çdo pozitë në hiearkinë e kishës nuk është aspak rast lavdie, përkundrazi është rast shërbimi. Me 3 dhjetor do përkujtoj përvjetorin e pestë të përurimit tim si Arqipeshkv i kësaj Arqidioqeze. Dua ta falenderoj Zotin që për këtë mision më ka zgjedhur mua me të gjitha mangësitë, dobësitë dhe paaftësitë e mia.
Jam përpjekur ti shërbej kishës në këtë Arqidioqezë, tu jem afër meshtarëve, motrave dhe të varfërve por tani erdhi koha të këndoj atë këngë të bukur të Andrea Boçelit "Kohë për të thënë lamtumirë! Dhe është koha të kërkoj sinqerisht falje prej Zotit dhe atyre që i kam fyer ndoshta padashje, të kërkoj falje prej Zotit dhe jush kur nuk ju kam dhënë shembullin e duhur si i krishterë dhe si barinj. Tani presim ditën kur kjo Arqidioqezë do ti besohet monsignior Arjan Dodaj që për katër vjet ka qenë dhe ende është ipeshvi im ndihmës. Kam shumë besim se do ta drejtojë Arqidioqezën me shumë angazhim, dashuri dhe mbi gjithçka me shumë besim dhe lutje.Gjatë katër viteve si ndihmësi im ka qenë shumë besnik ndaj meje, ka fituar shumë eksperiencë dhe ka dhënë shembuj shumë të mirë.
Ju nxis të luteni për të sepse misioni i ipeshvit nuk është mision i lehtë. Para një viti kam qenë me Covid, u infektova me 1 nëntor por pas dy javësh gjendja ime u përkeqësua goxha. Kolegët e mi më kanë dërguar në Itali dhe pse isha kundër. Kam qendruar për 5 javë që më duheshin si amëshim.Gjatë atyre javëve vura re sa shumë isha lidhur me dashuri me popullin tim që priste me shpresë kthimin tim. Por Zoti më tha ende nuk kam vend për ty. Para 5 javësh më kanë dërguar me urgjencë në spital, qëndrova tre ditë sepse Zoti përsëri më tha ende nuk kam vend për ty.
Por tani erdhi koha që të ketë vend për një tjetër, për një bari që është shumë më i ri dhe është shqiptar, më familjar me historinë dhe kulturën e popullit tonë. Por nuk duhet të harrojmë që kisha katolike në Shqipëri ende është një kishë misionare. Duhet të ndihemi shumë mirënjohës ndaj misionareve dhe misionarëve, nuk mund të vazhdojmë me projektet tona baritore pa praninë dhe angazhimin e tyre. Kisha katolike duhet të forcohet. Përpurimi i arqipeshvit të ri do të kremtohet me një ceremoni të veçantë dhe shumë të bukur, të shtunën paradite me 22 janar. Pas shumë reflektimi dhe lutjeje kam vendosur që pak ditë pas përurimit të arqipeshkvit të ri të kthehem në vendlindjen time nga një popull që e kam dashur pa masë dhe që më ka dashur dhe respektuar më shumë sesa meritoja. Por Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeten gjithmonë në zemrën time.

