KLP firmosi shkarkimin e tij, reagon kryeprokurori i Sarandës, Kledian Llaho: E vr*në nderin që të jetojë turpi

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP vendosi të enjten më 10 prill një masë të dytë disiplinore ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho.
Më 31 janar, Llahos iu dha masa disiplinore “vërejtje publike”, megjithëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD kërkoi ulje page, lidhur me konstatimet për zvarritje të hetimit të një çështjeje penale dhe moszbatim të një vendimi gjykate.
Kurse masa e dytë e caktuar nga KLP është ulje e pagës me 20% për tre muaj dhe si masë plotësuese, largimin e tij nga pozicioni i kryetarit.
Edhe në këtë rast, ILD kërkoi masë më të rëndë disiplinore, uljen e 40% të pagës për një vit që u pranua pjesërisht, si dhe largimin e tij si drejtues.
Pas vendimit të KLP-së, reagon drejtuesi i Prokurorisë Sarandë Kledian Llaho.
Reagimi i Kledian Llahos
E vranë nderin që të jetojë turpi.
Nuk ka tirani më mizore se përjetësimi i drejtësisë nën maskën e ligjit.
Dëshiroj të ndaj një reagim të shkurtër me median.
Me vendimin e sotëm duke caktuar masë displinore ndaj Drejtuesit të Prokurorisë Sarandë, KLP konfirmoi fatkeqësisht anarkinë sociale, anarkinë morale dhe anarkinë ligjore që mbizotëron sot në këtë vënd të mjerë. Për ild dhe KLP nuk kanë asnjë relevancë sukseset e Prokurorit Kledian Llaho, nga hetimet e të cilit janë sekuestruar në qytetin e Sarandës mbi 40 milionë euro pasuri në favor të shtetit.
Për ILD dhe KLP janë gjetur shkelje veprimet e drejtuesit të Prokurorisë vetëm pse ka marrë përsipër hetimin e dy çështjeve penale të cilat ai i dërgoi në gjyq por që sipas Ild duhet të trajtoheshin nga ankuesja.
Gjithashtu sipas ILD dhe KLP Drejtuesi i Prokurorisë nuk e ka dëgjuar, nuk e ka këshilluar dhe nuk e ka "trajtuar"siç duhet prokuroren ankuese B.S.
Vendimi i sotshëm është përvec se i pabazuar ligjerisht por edhe i diktuar nga dëshira e Inspektorit metani për të performuar në statistika e aspak përmbajtje. Jam proceduar për inate personale dy herë brenda 6 muajve si asnjë magjistrat tjeter, thua se unë paskam qenë e keqja e sistemit.
Mirpo është fakt që Inspektori, ka qene pjese e nje delegacioni me mua ne SHBA në nëntor 2023 dhe për shkak të qënies time pjesë e atij delegacioni, inspektori nuk mundi ta përtypte dot.
Vetëm pas disa muajve shfrytëzoi ankesat pa asnje rëndësi dhe nisi procedim disiplinor ndaj meje për vonesë në një cështje pa asnje interes, ndërkohë që sistemi lëngon prej ngarkesës ekstreme.
Inspektori pas dy muajve nga nisja e procedimit të parë nisi një tjetër procedim mbi ankimin e nje prokuroreje me të cilen kanë punuar ndihmës inspektorja e çështjes ndaj meje por edhe ai vete ne Avokaturën e shtetit. ( konflikt i pastër interesi).
Une do e ankimoj kete proces dhe ankimimet nuk do te behen ne ambientet e 15 kateshit ( inspektori e di vet pse jo atje ) por zyrtarisht me poste! Shumica ka frikë prej të aftëve sepse nuk dëshiron rodhe nëpër këmbë.
Dhe po e mbyll me fjalet e Driteroit të madh;
Botë e mallkuar, plot me rezilë,
I miri shpon shpon duart
I ligu fiton trendafilë.
Drejtuesi i Prokurorisë Sarandë Kledian Llaho.



