Pije alkoolike dhe 20 mijë euro, goditet dy raste kontrabandë në portin e Durrësit

Port, Durrës/Si rezultat i kontrolleve në hyrje/dalje, ndaj shtetasve dhe mjeteve, goditen 2 tentativa për të futur në Shqipëri, produkte ose para, pa i deklaruar.

Në një autobus u gjetën 120 shishe me pije alkoolike dhe produkte të tjera, ndërsa në një automjet u gjetën 20 000 euro.

Për këto raste është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 të tjerë.

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm të produkteve dhe shërbimeve, si dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit kanë konstatuar dhe goditur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, 1 rast të tentativës për të kontrabanduar produkte për të cilat paguhet akcizë dhe 1 rast të mosdeklarimit të të hollave. Konkretisht, për këto raste:

-u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 36 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. G., 55 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga kontrolli në autobusin në pronësi të drejtuesit 36-vjeçar, që kishte drejtues të dytë alternativ, shtetasin I. G., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 120 shishe me pije alkoolike dhe produkte të tjera, të dyshuara të kontrabanduara;

-u referuan materialet në Prokurori, ku nisën procedimet në gjendje të lirë për shtetasit A. R., 50 vjeç dhe E. H., 35 vjeç, të dy banues në Durrës.

Nga kontrolli në automjetin fuoristrade tip "Nissan" që drejtonte shtetasi A. R. dhe ku ishte pasagjer 35-vjeçari, në një hapësirë të përshtatur nën kroskot, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 20 000 euro të padeklaruara konform ligjeve në fuqi.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

EMISIONET