"Nga sekretare e PS në zëdhënëse të Lul Bravës" Berisha mesazh Yuri Kim: Nëse jeni e interesuar...

I shpallur "non grata" nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Patosi Sali Berisha theksoi edhe një herë se nuk ka asnjë fakt kundër tij dhe nuk do të ketë. Betejën me sekretarin Blinken ai e quajti një problem personal.
Berisha: Dhe 100 vite po të rrëmojnë nuk do të gjejnë kurrë një fakt, një dokument të vetëm të faktojë akuzën që kanë bazuar në shpifje ndaj meje. Do vazhdoj betejën time pa u përkulur.
Berisha nuk harroi t'i dërgonte një mesazh edhe ambasadores amerikane Yuri Kim.
Berisha: Në një intervistë zonja Kim, e cila kalon nga sekretare ideologjike e PS në zëdhënëse të Lul Bravës sipas klimës, po mburrej me investimet amerikane gjatë kohës së saj. Tani do t'i them dy fjalë; ne jemi pro amerikanë më shumë se të tjerët, ne mirëpresim me kënaqësi investitorët amerikanë, por do theksoj që kompania më e fuqishme amerikane që ka punuar në Shqipëri ishte Bechtel.
Bechtel fitoi rrugën e Kombit me një tender ndërkombëtar të shpallur në gazetat e Londër, ku morën pjesë 7 kompani gjigante botërore. Zonjë në emër të gjithë shqiptarëve mos inkurajoni prokurimet direkte në këtë vend, se pavarësisht nga vendi që ato vijnë prokurimet direkte janë korruptive. Prandaj nëse ju jeni e interesuar për luftën kundër korrupsionit insistoni në tender të hapur.
Berisha tha se askush nuk është imun ndaj korrupsionit. Është zbatimi i ligjit garanci për mospërhapjen e korrupsionit. Korrupsioni sipas tij është shkatërrim i sistemit të drejtësisë, i vendosjes së saj totalisht nën kontrollin e qeverisë.

