Skemë mafioze, dorë “amatori”/ Objektivi i sulmit në Shkodër: I pashë të gjitha veç fytyrës së autorit

Skema e përdorur në atentatin ndaj Dedë Pllanaj në Shkodër ishte tipike mafioze, por dyshimet janë se dora e ekzekutorit nuk ishte profesioniste. 60-vjeçari që i mbijetoi një karrikatori pistolete në trup thotë se nuk ia pa dot fytyrën njeriut që tentoi ta vrasë.

Dedë Pllanaj i pa të gjitha, me përjashtim të fytyrës së njeriut që tentoi ta vrasë mbrëmjen e së shtunës në Shkodër.

60-vjeçari kishte nisur turnin e rojes në një karburant në Drobraç.

Autori mbërriti aty me motor dhe e fshehu identitetin pas kaskës, siç tregoi objektivi në dëshminë e parë në polici.

"Isha i ulur tek puna në karburant. Në një moment erdhi një motoçiketë, drejtuesi i saj ishte me kaskë. Zbriti dhe u afrua drejt meje dhe më qëlloi. Nuk ia pashë fytyrën, nuk e di kush ishte. Unë personalisht nuk kam konflikte dhe nuk e di kush mund të jetë dhe pse më sulmoi”.

Një karrikator pistolete është qëlluar drejt 60-vjeçarit, i cili ka marrë plumba në këmbë, dorë, brinjë dhe legen.

Asnjë plumb nuk i ka kur organet jetësore, ndërsa për plagët e tjera pa rrezik për jetën po trajtohet në Spitalin e Traumës.

Agresori ka vepruar i vetëm ose të paktën në ekzekutimin e planit.

Pasi sulmon Dedë Pllanajn largohet me shpejtësi drejt rrugës së Koplikut, nga ku mundësitë për të devijuar në rrugica janë të shumta.

Skema e atentatit është tipike mafioze, por hetuesit dyshojnë se zbatuesi nuk është profesionist.

Policia po përdor kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë për ta gjurmuar, por deri më tani mbetet ende i lirë.

Dedë Pllanaj nuk njihet për njeri problematik në Shkodër, ndërsa po verifikohet për ngjarje apo konflikte të vjetra.

Lidhja e gjakut me Bardhok Pllanaj, ose "Kumbari" siç njihej në Shkodër i ekzekutuar në prill 2021, është mes pistave kryesore të hetimit.

EMISIONET