Ish-zëvendësministrja në përgjime, Çuçi përgëzon policinë mega-operacionin kundër trafikut të drogës
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thotë se finalizimi i operacionit për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve që çoi në arrestimin dhe procedimin e dhjetëra personave brenda e jashtë vendit, është një tjetër sukses i punës së Skuadrave të Përbashkëta Hetimore Shqipëri-Itali.
"Një punë e kryer mirë e me profesionalizëm të lartë në çdo hallkë. Vetëm në dy vitet e fundit policitë tona janë përfshirë në 52 skuadra të përbashkëta hetimore, një numër rekord po ta krahasojmë me vendet e tjera europiane".
Kjo sipas tij dëshmon besimin e lartë që ka sot Policia e Shtetit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë dhe vendosmërinë tonë për të goditur krimin.
"Përgëzime për Policinë e Shtetit, veçanërisht për efektivët që morën pjesë në këtë operacion, SPAK, Policinë dhe Prokurorinë italiane".
Një rrjet kriminal i trafikut të drogës është goditur në Itali dhe Shqipëri me 43 arrestime në total nga të cilat 15 në Shqipëri.
Pas kontrolleve në Durrës, u shpallën në kërkim edhe 6 persona të cilët ishin larguar.
Grupi akuzohet për trafikimin e 120 kilogramëve kokainë dhe 15 kilogramë heroinë. Në dosjen e këtij grupi kanë dalë edhe përgjime të ish-zv.ministres së Brendshme Rovena Voda.