Incineratorët/ Kraja: Bashkia e Tiranës në ortakëri me kompaninë e Klodian Zotos. Shqipëria në rrezik, nesër të gjithë në shesh

Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të PDSH-së Akil Kraja, foli për aferën e incineratorëve, duke thënë se koka e vërtetë që fshihet pas këtij megaskandali fshihet Edi Rama.  

Në një intervistë për RTV Ora , me gazetaren Besmira Pelushaj, Kraja tha se paratë që kanë shkuar për incineratorët mund të ndihmonin në zgjidhjen e krizës së vendit tonë.

Akil Kraja: Një kokë tashmë është ndëshkuar, por koka e vërtetë, skenaristi I këtij mega skandali është në krye të qeverisë dhe pa dyshim ai e ka emrin Edi Rama. Kemi të bëjmë me një skemë kriminale, tepër të frikshme. Këtu flasim për 450 mln euro, para të taksapaguesve, para që mund të shkonin  në shkolla në rrugë, për të dalë nga kriza ekonomike.

Ai tha se drejtësia po vonon ndërkohë tregoi se Bashkia e Tiranës është në ortakëri me Klodian Zoton.

Akil Kraja: Qytetarët po shohin një drejtësi që po vonon, shohin një reformë që po vonon produktet që ne prisnim dhe produkti është vetëm një, fund pandëshkueshmërisë. Do shikoni se si Klodian Zoto është ortak në një kompani e cila, menaxhon mbetjet e Sharrës dhe riciklimin atje. Vetë Bashkia Tiranë, është bashkë- ortakë me kompaninë e Klodian Zotos.

Bashkia ka rritur me 50% tarifën e pastrimit. Qytetarët e Tiranës, paguajnë me shtrenjtë ujin, pastrimin e qytetit, që paratë të shkojnë për skema të tilla. Kjo është një skemë grabitje e taksave të qytetarit dhe aseteve publike. Bashkia Tiranë ka pjesën e saj të përgjegjësisë. Edhe pas arrestimit të Lefter Kokës e Alqi Bllakos, vazhdohet të paguhet tarifa nga taksat e qytetarëve të Tiranës.

Ai ka folur dhe për protestën duke thënë se të gjithë duhet të protestojnë pasi Shqipëria është në rrezik.

Akil Kraja: Shqipëria është në rrezik, të gjithë shqiptarët sot duhet të jenë në konfrontim kombëtar. Shpopullimi nuk është thjesht se shqiptarët duhet të fitojnë më shumë, por kanë humbur shpresën. Rritja e krimit të organizuar, bomba me telekomandë po dëgjojmë çdo ditë. Keqqeverisja sot është e gjithë anshme, në çdo bashki, e në çdo dikaster. Nesër në orën 7 të gjithë së bashku në protestë se Shqipëria është në rrezik.

EMISIONET