“Mesazh” kriminal/Viktima në Lushnje, dhëndri i "Mustaqekuqit”, makina e atentatit u vodh në Vlorë
Një ditë pas vrasjes së bizmesmenit Bledar Muça në Lushnje, ngjarja ka mbetur pa autor edhe pse policia dyshon se atentati është mesazh mes grupeve të forta kriminale. Hetuesit kanë shoqëruar disa persona, ndërsa po heton edhe aktivitetet e viktimës si dhe përfshirjen e 35-vjeçarit në disa aktivitete biznesi. Ngjarja e rëndë rrezikoi seriozisht jetën e qytetarëve pasi të shtënat e çrregullta drejt lokalit plagosën edhe disa persona të tjerë për shkak se në kohën e ngjarjes, zona ishte e populluar në mes të qytetit të Lushnjes.
Atentati ku mbeti i vrarë biznesmeni 33-vjecar Bledar Muça në Lushnje ishte i mirëorganizuar për të dërguar një mesazh të fortë kriminal dhe për pak sa nuk prodhoi një masakër për shkak se plumbat rrezikuan edhe persona të tjerë në lokal.
Këto janë gjurmët e mbetura nga sulmi agresiv me armë zjarri në mes të pedonales që la pas edhe 5 të plagosur.
Të paktën 15 persona u shoqëruan në polici, duke ndihmuar në zbardhjen e dinamikës.
Ishte ora 22:00 dhe rruga pedonale e Lushnjes ishte plot me njerëz.
Bujar Muça sipas dëshmive ishte në këtë tavolinë buzë rrugës bashkë me kunatin e tij Judin Velo, ky i fundit nipi i Roland Shytit, anëtar i grupit Hakmarrja për Drejtësi, i njohur si Mustaqekuqi.
Autorët, që ishin të paktën tre, erdhën me një makinë nga e cila sipas dëshmive doli një person me një kapele në kokë dhe hapi menjëherë zjarr me breshëri kallashnikovi.
Bujar Muça mbeti viktimë dhe kunati 32-vjeçar i plagosur rëndë. Plumbat pa kontroll kapën edhe 4 persona të tjerë, klientë e kalimtarë të rastit .
Të plagosur në Lushnje
-Ervis Tafa, 25 vjeç
-Sara Liçi, 24 vjeçe
-Eksara Cauli, 26 vjeçe
-Majlinda Gjyla, 66 vjeçe
Rreth një orë më vonë, mjeti që u përdor për atentatin u gjet i djegur në fshatin Thanasaj, skemë e përdorur masivisht për të fshehur gjurmët.
Mjeti me targa italiane rezultoi i vjedhur në Vlorë, ndërsa brenda saj u gjet edhe një automatik me numër serie të fshirë.
Aty autorët dyshohet se janë ndihmuar nga persona të tjerë dhe më pas humbën gjurmët.
Hetimet mësohet se janë shtrirë në disa drejtime, ku një prej pistave është ajo e lidhjes së 32-vjeçarit me anëtarin e Hakmarrjes për Drejtësi, por nuk përjashtohen as konflikte të tjera.

