Sulmi kibernetik, qeveria: Po kthehemi në normalitet, e-albania akoma jashtë funksionet

Sulmi kibernetik, qeveria: Po kthehemi në normalitet, e-albania akoma

Kryeministria bën me dije se kunderofensiva e AKSHI-t dhe aleateve ndaj sulmit kibernetik po ecën me ritme te shpejta dhe ne përputhje me planin e emergjencës.

Sipas këtij institucioni, pas një pune të jashtëzakonshme, prej 96 orësh papushim, nga ekipi i inxhiniereve dhe ekspertëve IT të AKSHI-t, ndihmës së skuadrës së Microsoft DART (Detection and Response Team) dhe partnerëve të “Jones Group International”, po kthehemi në normalitet.

Po ashtu bëhet me dije se, faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i Fiskalizimit janë rikthyer në funksion të plotë brenda 12 orësh.

Që prej ditës së djeshme është kthyer në funksion të plotë:

-              Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit rrugor me sistemin e lejeve të drejtimit dhe sistemin e targave;

-              Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;

-              Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me sistemin e recetës elektronike;

-              Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore me sistemin e barnave.

Po punohet me intensitet për kthimin një e nga një të të gjitha shërbimeve që ofrohen në e-albania dhe rikthimin në funksionalitet të plotë të sistemeve të tjera.

“Ndjekja e protokolleve të reagimit ndaj sulmeve kibernetike, izolimi i menjëhershëm i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare, që në momentet e para, bëri që sistemet qeveritare të dalin të paprekura. Kjo rezultoi kundërpërgjigjia e duhur ndaj këtij sulmi masiv të pandodhur kurrë më parë ndaj vendit tonë. Falenderojmë çdo qytetar, biznes, punonjës administrate, shtetas të huaj në Republikën e Shqipërisë, për durimin dhe mirëkuptimin në përballjen me këtë armik kibernetik të përbashkët.  Siguria kibernetike dhe ofrimi i shërbimeve publike online ka qenë dhe do të mbetet prioriteti ynë.” – njofton Kryeministria.

EMISIONET