"Harta gjyqësore nuk ndryshon" Rama mesazh Dhomës së Avokatisë: Bojkoti i pamoralshëm, bëjnë mirë ti kthehen detyrës
Kryeministri, Edi Rama, akuzoi avokatët se kanë marrë peng qytetarët me bojkotin ndaj proceseve në gjykata. Ai tha se harta gjyqësore nuk do të ndryshojë ndërsa paralajmëroi se gjuha e forcës me qeverinë do të jetë e pasuksesshme. Nga ana tjetër kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, u shpreh se bojkoti do vijojë dhe ai nuk është kundër qeverisë, por ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor, si institucioni i vetëm kompetent.
Kryeministri, Edi Rama, ka paralajmëruar se harta e re gjyqësore nuk do të ndryshojë, ndërsa paralajmëroi avokatët se nuk do të fitojnë asgjë nëse flasin me gjuhën e bojkotit me qeverinë.
Rama: Harta gjyqësore është ajo dhe nuk ndryshon. Habitem që ka ende individë që besojnë se me qeverinë që unë drejtoj mund të flitet me bojkote dhe me gjuhën e kokëfortësisë pa zë. Ne këtu jemi. Kush ka diçka për të ndarë këtu jemi. Harta gjyqësore është ajo. Të bojktojnë sa duan por harta nuk ndryshon.
Shqipëria nuk mund të mbetet peng i vetvetes dhe i të kaluarës së vet ku gjërat janë bërë hajde ta lëmë për një moment tjetër. Shqipëria nuk është as Kina, as Franca as Italia, është një vend shumë i vogël për të pasur zyra të panumërta. Është konsultuar gjatë është dakordësuar.
Kush i bie ndesh është në të drejtën e vet ta bëjë por pengmarrja e qytetarëve për të bërë qeverinë të ndryshojë qëndrim është e pamoralshme, e shëmtuar dhe e padobishme përveçse nuk ka shans të ketë sukses.
Rama mbrojti hartën gjyqësore duke thënë se ajo është hartuar pas një procesi të gjatë konsultimesh.
Rama: Sistemi gjyqësor nuk do të ketë asnjë kolaps. Avokatët bëjnë mirë ti kthehen detyrës së tyre se nuk caktojnë avokatët si bëhet harta gjyqësore e Republikës. Nuk është çështja se s'dua të tërhiqem unë por është dakordësuar me ndërkombëtarët.
Nuk është çështje kokëfortësie nuk jam këtu për të dalë e imja. Se s'duan avokatët, ku hyjnë avokatët? Ata kanë detyrë tu shërbejnë klientëve. Me bojkote e me forcë qeverisë që unë drejtoj nuk i është marrë dhe nuk i merret asgjë zero.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, tha se kërkesat e tyre nuk kanë lidhje me qeverinë.
Haxhia: Ne bojkotin e kemi kundër vendimit të KLGj si autoriteti i vetëm ligjor që vendos hartën gjyqësore dhe në asnjë mënyrë me qeverinë, sepse qeveria ka për kompetencë vetëm krijimin e infrastrukturës dhe faturën financiare.
Maks Haxhia sqaroi se Dhoma e Avokatisë do të respektojë vendimin e Këshillit të Përgjithshëm për bojkotimin e seancave gjyqësore dhe masave të sigurisë deri në gjetjen e një zgjidhje.


