Masa sigurie pa avokat në sallë, zyrtari i AZHBR Korçë del para gjykatës për shpërdorim detyre
Inspektori i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Abri Pajo dhe fermeri Shaban Zaçe e bënë 3 herë brenda furgonit të policisë rrugën nga qelitë e paraburgimit deri në Gjykatën e Korçës për tu përballur me drejtësinë.
Të arrestuar për korrupsion me skemën e subvencioneve për bujqësinë iu desh të presin 24 orë për tu njohur me masën e sigurisë.
Seanca u shty dy herë përgjatë të enjtes dhe paradites së të premtes.
Në fund u përballen me drejtësinë pa mbrojtës ligjore, të drejtë që ua jep ligji dhe që kërkuan ta shfrytëzojnë, por greva e avokatëve ua pamundësoi.
Togat e zeza vendosën që fermeri Shaban Zaçe të vijojë te hetohet në "arrest shtëpie", ndërsa zyrtari Abri Pajo në qeli.
Gjykata e Korçës me tej ia kaloi për kompetencë Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion çështjen e abuzimit me lekët e shtetit për bujqësinë.
Kryetari i Dhomës së Avokatisë e cilësoi precedent të rrezikshëm dhe në shkelje të ligjit masën e sigurisë pa mbrojtës ligjore për të arrestuarit.
Artan Lena: Njerëzit arrestohen, ndalohen, shkojnë në gjykatë për vlerësim mase arrestimi, ndalimi dhe caktohet masë sigurie pa mbrojtje ligjore. Është në shkelje të hapur, të qartë me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dhomat e Avokatisë janë në bojkot kombëtar të proceseve gjyqësore, ndërsa për 10 ditë nuk do të marrin pjesë as në masat e sigurimit personal, më shenje revolte kundër hartës së re gjyqësore.


