Tiranë/ Grabitje me sqepar tek Rruga e Kavajës, 55 vjeçarit i marrin çantën me 3 milionë lekë

Një 55 vjeçar, punonjës i një pike të këmbimit valuator ka rënë pre e grabitjes. Dy persona të maskuar të cilët udhëtonin me motor, nën kërcënimin e një sqepari i vodhën një shumë të konsiderueshme parash.

Ngjarja ndodhi pranë një pike karburanti në Rrugën e Kavajës, Tiranë.

“Rreth orës 09:05 në kryqëzim me rrugën “Mihal Duri”, 2 persona ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta dhe më pas i kanë marrë një shumë parash shtetasit Q. Z., 55 vjeç, i cili po transportonte me motorr vlera monetare të një pike valute” informon policia e Tiranës

Si ndodhi?


Sipas policisë, 55-vjeçari Qani Zili po transportonte me motor një çantë me një shumë të konsiderueshme parash nga një pikë e këmbimit valuator në tjetrën.

Gjatë itinerarit, në një pjesë të rrugës, dy persona që ishin gjithashtu me motorçikletë, i kanë prerë rrugën dhe e kanë goditur me sqepar në kaskë.

Pas kësaj, ata kanë marrë çantën me para dhe janë larguar, pavarësisht përpjekjeve të disa kalimtarëve të rastit për t’i ndaluar.

Në dëshminë e tij, Zili thotë se nuk ishte në dijeni për sasinë e saktë të parave që ndodheshin brenda çantës, pasi ai ishte përgjegjës vetëm për transportin, por burimet thonë se bëhet fjalë për rreth 3 mln lekë të vjetra.

Fatmirësisht Qani Zili nuk pësoi dëmtime, por dy autorët nuk janë identifikuar ende nga policia, e cila ka sekuestruar dhe pamjet filmike të bizneseve rreth vendngjarjes.

EMISIONET