FOTO+VIDEO/ Nga Saranda në Shkodër, besimtarët myslimanë falin namazin e Kurban Bajramit. Lot dhe lutje edhe për Gaza-n

Sot besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin. Mijëra besimtarë u mblodhën mëngjesin e së premtes në sheshet dhe xhamitë e vendit për të falur namazin.

Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe ceremonia nisi në orën 06:15. Edhe në qytete të tjera, besimtarët u mblodhën për të falur namazin.

Në Lushnje, qindra besimtarë u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit. Falja u drejtua nga Myftiu Gramos Blliku, i cili bëri thirrje për paqe e begati për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Gjatë fjalës së tij teksa fliste për paqen e popullit palestinez Myftiu u përlot.

Në Fier, besimtarët falën namazin në sheshin qendror ndërsa ceremonisë i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit Mikel Hazizolli. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri- tjetrit dhe theksoi se kjo është dita kur ne shërojmë plagët që ne i kemi shkaktuar njëri- tjetrit.

FOTO+VIDEO/ Nga Saranda në Shkodër, besimtarët myslimanë

Në Vlorë, këtë herë namazi u mbajt në ambientet e Pallatit të Sportit Vlorë, për shkak se xhamia e Vlorës është e mbyllur që pas përmbytjeve. Myftiu Ardit Hoxhllaku përcolli një mesazh paqeje kudo në botë.

FOTO+VIDEO/ Nga Saranda në Shkodër, besimtarët myslimanë

Ceremonia është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhllaku. Ai ka uruar besimtarët në këtë ditë dhe ka bërë mesazh për paqe kudo në botë: mos të ketë luftë, mos të ketë vrasje të fëmijëve të vegjël, të pafajshëm.

“Na kanë mbytur veprimet nëpërmjet instikteve dhe na ka marrë malli të shohim njerëz që mendojnë para se të veprojnë. Kurbani nuk është thjesht të marrim një kafshë, të bëjmë bismilah, ta presim dhe të themi Zoti na e pranoftë. Kurbani është që nëpërmjet tij të kujtojmë njëri-tjetrit, të ndajmë jo vetëm pjesën e dukshme, por të ndajmë shërimin dhe ndjenjat.”, tha ai.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë vlonjatë, por edhe të huaj që punojnë e jetojnë në Vlorë, por edhe turistë që kanë ardhur në qytet këto ditë.

Në Sarandë, ashtu edhe si në qytetet e tjera të vendit qindra besimtarë falën namazin e Kurban Bajramit në Sarandë. Në orën 6:45 besimtarët u falën në xhaminë e qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë përcollën mesazhet për paqe dhe begati mes njëri-tjetrit.

Ndërsa në Elbasan ceremonia u mbajt në shesh.

Myslimanët e Shkodrës e mbajtën namazin pranë xhaminë Ebu Bekër. Zv. Myftiu i Shkodrës, gjatë fjalës së tij, trajtoi edhe fenomenin e largimit të njerëzve, ndërsa bëri thirrje që të mos e braktisin vendin.

Edhe në qytetin e Durrësit besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Falja nisi në orën 06:15 në Xhaminë e Madhe, ndërsa besimtarët kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin mesazhin e paqes, begatisë për çdo familje shqiptare.

FOTO+VIDEO/ Nga Saranda në Shkodër, besimtarët myslimanë

Në faljen e namazit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i KMSH Bujar Spahiu përcolli një mesazh urimi. Spahiu tha se sot është një gëzim i dyfishtë, pasi Kurban Bajrami feston në ditën e xhumasë.

FOTO+VIDEO/ Nga Saranda në Shkodër, besimtarët myslimanë

“Të dashur vëllezër e motra, që jeni mbledhur sot, këtu në këtë shesh për të festuar ditën më të madhe të Kurban Bajramit. Sot kremtojmë festën, një ditë që bashkon zemrat tona në adhurim, mirënjohje dhe solidaritet. Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukure e javës, e xhuma me ditën më të bukur të vitit, Kurban Bajramin, një gëzim i dyfishtë. Kurban Bajrami na rikujton sakrificën sublime të Profetit Ibrahim, paqja e zotit qiftë mbi të, i cili u përul me besim të plotë ndaj urdhrit të zotit dhe gjithësisë.”, tha Spahiu.

Ai tha se Kurban Bajrami është një ftesë për të gjithë. Kjo ditë, tha Spahiu, duhet të shihet si një dritë shprese në një kohë kur po përballemi me sfida ekonomike, sociale dhe shpirtërore.

“Kjo sakrificë na mëson edhe ne sot se besimi nuk është vetëm fjalë por vepër. Jo vetëm ritual por angazhim i sinqertë për të qenë më të drejtë, të ndershëm dhe më të mëshirshëm në çdo hap të jetës tonë. Të nderuar vëllezër e motra, feja jonë islame na mëson se besimi nuk është i plotë pa ndjeshmëri sociale, nuk është i plotësuar adhurimi ynë nëse nuk përfshihet në të edhe përgjegjësia ndaj njëri-tjetrit. Edhe shoqëria jonë s’do të jetë e drejtë nëse në themelet e saj nuk qëndrojnë vlerat hyjnore, mëshira, drejtësia, bujaria dhe ndershmëria.

Sot Kurban Bajrami është një ftesë për të gjithë, pa dallim, për punëtorin dhe fermerin që me djersën e ballit mbajnë familjet, për nënat dhe gjyshet, për të rinjtë që kërkojnë vendin e tyre në shoqëri, për mësuesit që mbjellin dituri, për mjekët dhe drejtuesit që ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Në një kohë kur sfidat ekonomike, sociale e shpirtërore prekin shumë familje, Bajrami vjen si dritë shprese. Le të mos e shohim si ditë pushimi dhe konsumi por si ditë adhurimi, ashtu siç është vërtetë, si mundësi për të rindërtuar lidhjet tona me zotin dhe njëri-tjetrin", tha Spahiu.

Një lutje për bëri edhe për njerëzit në Gaza, të cilët po përballen me një luftë prej kohësh.

EMISIONET