Krerët e shtetit urojnë Kurban Bajramin: Gëzuar! Qofshi në mbrojtjen e Zotit
Sot, besimtarët myslimanë në mbarë Shqipërinë festojnë Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit islam.
Pas faljes masive që u organizua në sheshe dhe xhami në qytete të ndryshme të vendit, nuk kanë munguar as urimet nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka ndarë një mesazh urimi në rrjetin social Twitter, ku thekson domethënien e thellë shpirtërore të kësaj feste:
"Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot.
Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë.
Uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre!
Gëzuar Kurban Bajramin dhe qofshi në mbrojtjen e Zotit!"


Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama ka postuar në Facebook një foto simbolike të një xhamie të zbukuruar për festë, të shoqëruar me një urim të thjeshtë por domethënës:
"GËZUAR KURBAN BAJRAMIN"
Urimet e liderëve shqiptarë vijnë në një ditë të shënuar për komunitetin mysliman, ku mesazhet e paqes, solidaritetit dhe dashurisë mbizotërojnë në çdo shtëpi dhe çdo zemër.
Ndërkohë, një urim e ka bërë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Besimtarëve myslimanë nga zemra i uroj Gëzuar Kurban Bajramin. Sakrificat e lutjet tuaja qofshin të pranuara nga Zoti në këtë natë të madhe, për të mirën tuaj, të familjeve tuaja dhe të gjithë Shqipërisë”.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka uruar gjithashtu shqiptarët:
"I uroj popullit shqiptar, gëzuar festën e Kurban Bajramit!
Ishte kënaqësi që së bashku me drejtuesit e tjerë të Partisë së Lirisë, t'i përcillnim sot Kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe nëpërmjet tij, të gjithë besimtarëve, urimet më të përzemërta të Presidentit Ilir Meta dhe tonat personalisht.
Ju urojmë të gjithë besimtarëve, sa më shumë shëndet, lumturi, paqe dhe begati në familjet e tyre.
Të mos harrojmë se Kurban Bajrami na kujton se pa sakrifica nuk ka begati dhe se rruga drejt së mirës kërkon, në radhë të parë, devotshmëri dhe përkushtim.
Gjithashtu më lejoni që të shpreh edhe shqetësimin që edhe këtë vit, Komuniteti Mysliman edhe gjithë komunitetet e tjera fetare i gjen me një problem ende të pa zgjidhur që është çështja e kthimit dhe kompesimit të pronave të komuniteteve, një problem i cili qëllimisht, sidomos këto vitet e fundit, është penguar.
Megjithatë jam i bindur se Kurban Bajrami i ardhshëm do të na gjeje të gjithëve më mirë.
Faleminderit!"

