FOTO+EMRAT/ Pesë mjekë të rinj i bashkohen spitaleve publike

Pesë mjekë të rinj u janë bashkuar ekipeve shëndetësore në spitalet publike në vend, duke plotësuar nevojat dhe duke forcuar më tej shërbimet shëndetësore për qytetarët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vlerësoi sot përkushtimin, energjinë dhe humanizmin e mjekëve të rinj në shërbim të çdo pacienti.
“Mjekët e rinj i shërbejnë jetës aty ku ajo ka më shumë nevojë, në vendin e tyre, për njerëzit e tyre. Daniela, Besjana, Ada, Henri dhe Enejda e nisin vitin 2026 si pjesë e ekipit të QSUNT, duke sjellë përkushtim, energji dhe humanizëm në shërbim të çdo pacienti”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Që prej rihapjes në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.
Mjekët specializantë me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për katër vite gjatë formimit të tyre do të marrin 80% të pagës së mjekut specialist, dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe “mjekësi urgjence”.


