Flutura në makinën e blinduar, me dy radio marrëse policie në çantë, poshtë pallatit në Kune të Lezhës
Mes personave të arrestuar sot (17 gusht 2022) në zonën e Shëngjinit në Lezhë, pasi dyshohet se do të kryenin një vrasje është Nikolin Sherniku, Flutura Berisha dhe një djalë 15 vjeçar.
Policia kishte lokalizuar automjetin tip "Toyota", të parkuar në afërsi të një pallati në Kune dhe kanë ndërhyrë për të neutralizuar tre shtetasit që ndodheshin në automjet, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.
Gjatë tentativës për t’u larguar Fatbardha Berisha "drejtuesja e automjetit, ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar".
Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga shërbimet e Policisë informoi sot policia e Lezhës duke dhënë detaje mbi operacionin e koduar "Dyshimi"
Kush eshte Nikolin Sherniku
Në dhjetor të 2020 Nikolin Sherniku ishte arrestuar për veprën penale të “Moskallëzimit të Krimit”, ndërsa dy persona të tjerë kushërinjtë, Redion dhe Sokol Hysa, akuzohen për vrasjen e punonjësit të policisë, Xhulio Prela.
Kur u arrestua (Ne 2020) ndaj tij u vendos masa e sigurisë "arrest me burg" por më pas u lirua në “arrest shtëpie” nga gjykata e këtij qyteti.
Edhe në momentin e arrestimit të sotëm Sherniku ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpie"
Tashmë Sherniku, do ti duhet të qëndrojë në burg për ngjarjen e vrasjes së Xhulio Prelës, pasi rezultoi e provuar ditën e sotme se ka thyer masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të caktuar nga gjykata e Lezhës.
Flutura, vajza qe drejtonte makinen e blinduar
Policia informoi sot se makina e blinduar që ishte parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin, drejtohej nga 34 vjeçarja, Flutura Berisha e cila mesaduket nuk ka pranuar të tregojë pse ndodhej aty.
Ndaj, banores së Kurbinit iu vunë prangat për veprat penale "Moskallëzimi i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" pasi gjatë tentativës për t’u larguar ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar.
Radio marreset e policise
Më pas policia ka ushtruar kontroll në automjetin me të cilin lëviznin dhe është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës janë gjetur 2 radio marrëse - dhënëse, si ato të Policisë.
Do të jenë hetimet që do të zbulojnë më shumë se kush ishte objektivi dhe konkretisht çfarë ngjarje kriminale parandaloi policia e Lezhës.