Flet Klevis Alla: Vrasja e dy vëllezërve Haxhiaj, u krye nga 3 të penduarit e prokurorisë së posaçme SPAK
Gjykata e Posaçme është njohur me dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla. Në seancë ai ka rrëfyer mbi organizimin e vrasjes së dy vëllezërve Haxhia por edhe ekzekutimin e dy personave në Durrës.
Klevis Alla, njëri nga pesë të penduarit, që ka marrë nga SPAK statusin e bashkëpunëtorit të prokurorisë, ka dëshmuar sot në procesin gjyqësor që po zhvillohet në SPAK, kundër të pandehurve Besjan Xhixha, Enver Diva, Talo Çela, Nuredin Dumani dhe Altin Ndoci.
Alla në këtë proces është bashkë i pandehur, por për shkak të pendesës së tij dhe bashkëpunimit me prokurorinë, ai ishte thirrur si dëshmitar.
Përpara trupit gjykues, Alla ju përgjigj pyetjeve të prokurores Doloreza Musabelliu, duke pohuar se ekzekutimin e Besmir dhe Viktor Haxhiaj, e ka kryer Nuredin Dumani, Henrik Hoxha dhe vetë Klevis Alla, i cili ka pasur rolin e shoferit të makinës.
“…unë drejtoja makinën tip “Toyota”, ndërsa për të qëlluar fillimisht ka qëlluar nga brenda mjetit Nuredin Dumani dhe më pas personi tjetër që ndodhej në makinë, të cilin unë nuk e njihja…” - ka pohuar Klevis Alla.
Përmes kësaj dëshmie të dhënë përpara gjykatës, Klevis Alla ka “zhveshur” nga përgjegjësia ligjore katër personat e tjerë të akuzuar në këtë proces si autorë të vrasjes së dy vëllezërve, ngjarje kjo e ndodhur në muajin Prill 2020 në zonën e quajtur “Tregu i Makinave” në Durrës.
Në dëshminë e tij, Alla nuk përmendi si pjesëmarës direkt ose indirekt në vrasje të 4 të akuzuarve të tjerë të këtij procesi.
Por bashkëpunëtori implikoi Nuredin Dumanin dhe në ekzekutimin e Anxhelo Avdisë e Dorjan Shkozës, të cilët mbetën të vrarë në Durrës.
Nisur nga ky qëndrim i mbajtur nga Klevis Alla në seancën gjyqësore, pritet që në ditët në vijim prokuroria të mbajë një qëndrim mbi akuzën e ngritur ndaj Besjan Xhixha, Enver Diva, Talo Çela, dhe Altin Ndocit.
Dëshmia e Klevis Allës përputhet edhe me dëshminë e dy bashkëpunëtorëve të tjerë të SPAK, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.
Të cilët kanë pohuar se ishin ata së bashku me Klevis Allën alias “Çapaçulin” që kishin organizuar dhe më pas vrarë dy vëllezërit Haxhiaj dhe dy shokët e tyre Anxhelo Avdija dhe Dorjan Shkozën.
“Ora News” në korrik 2022 publikoi 4 dëshmitë e plota të bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Klevis Alla, të dhëna gjatë fazës së hetimit në 30 prill 2020, 6 maj 2020 dhe 26 shkurt 2021, ku jepen rrëfime kontradiktore për sa i përket emrave të ekzekutorëve, takimeve dhe mënyrës së ndodhjes së dy ngjarjeve të rënda.