Flet firmëtari i “shkarkimit të Metës”, Taulant Balla: Kuvendi aktual ka sovranitet ta shqyrtojë, i kemi të gjitha provat

Janë gati 50 deputetë të kuvendit të Shqipërisë që kanë depozituar kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi për fillimin e procedurës së shkarkimit të Ilir Metës nga posti i presidentit të Republikës, bëri të ditur, sot Taulant Balla.

“Deputetët kërkues vlerësojnë se Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore ka kryer veprime që bien në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Kërkesa në aspektin formal plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për tu shqyrtuar nga Kuvendi”  tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në deklaratën për median jashtë kryesisë së Kuvendit.

Çfarë ndodh?

Kërkesa e depozituar në Kuvend më 30 prill 2021, do i kalojë komisionit të ligjeve dhe brenda afatit duhet të shprehet nëse i plotëson kriteret formale më pas ngrihet komisioni hetimor.

“Kuvendi aktual ka sovranitetin e duhur për të ushtruar mandatin e tij deri më datën 8 korrik që është data e fundit dhe përkon me 60 ditëshin që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit” 

Nxitimi për ta shkarkuar brenda kësaj legjislature

Maxhoranca synon që gjithçka të mbyllet brenda 8 shtatorit dhe Balla beson se ky kuvend do bëjë gjënë e duhur me shkarkimin e Metës.

"Kuvendi e ka hapësirën e nevojshme për ta institucionalizuar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe e ka kohën e nevojshme dhe të mjaftueshme për ta përfunduar brenda mandatit të këtij parlamenti, pra të legjislaturës 9.

Legjislatura 10 nis më 9 shtator. Ka kohë për ta shqyrtuar në detaj këtë kërkesë. Legjislatura e 9-të është sovrane për të marrë vendime. Deri në atë moment i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të kryer detyrën

Taulant Balla, i cili është një prej firmëtarëve shprehu bindjen se në kërkesën e tyre “Janë të gjitha provat që jo vetëm argumentojnë qëndrimin,  por janë provat e nevojshme për të inicuar procesin e shkarkimit të presidentit”

"Besoj Kuvendi bën gjënë e duhur në kushtet kur presidenti nuk po ushtron mandatin e Presidentit të Republikës sipas Kushtetutës” u shpreh Balla.

EMISIONET