Sulmet kibernetike: Banka e Shqipërisë merr masa, do të plotësojë rregulloren për sigurinë kibernetike
Sulmet kibernetike gjatë vitit të shkuar nuk kursyen as sektorin banker. Për këtë arsye Banka e Shqipërisë ka planifikuar që të marrë masa për të plotësuar kuadrin rregullator për sigurimin e një mbrojtjeje të përshtatshme kibernetike.
Sulmet kibernetike gjatë vitit të shkuar kanë bërë që Banka e Shqipërisë të rishikojë kuadrin rregullator për kërkesat që duhet të zbatojë sektori bankar për sigurimin e një mbrojtjeje të përshtatshme ndaj hakerave.
Në planin e saj pritet që të aplikohen standarde ndëkombëtare për vlerësimin e rrezikut nga sulmet kibernetike, si dhe bashkëpunimin për parandalimin e tyre mes institucioneve bankare.
Banka e Shqipërisë aktualisht nuk ka një rregullor për kriteret që duhet të përmbushin Bankat e Nivelit të dytë lidhur me sigurinë kibernetike.
Rregullorja e brendshme për përdorimin e teknologjisë në sektorin bankar, është miratuar në vitin 2005 dhe ka pasur disa ndryshime në vitin 2019. Por duke qenë se përparimi i teknologjisë është i shpejtë dhe rreziku nga sulmet kibernetike është prezent, nga Banka e Shqipërisë shihet si e nevojshme përditësimi I saj.
Përmirësimet do të bëhen me asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, ku do të realizohen edhe instrumentet e nevojshme metodologjike dhe operacionale, në përputhje me profilin e rrezikut të çdo banke.
Metodologjitë e reja do të zbatohen paralelisht me ato ekzistuese gjatë një periudhe kalimtare. Kujtojmë se disa banka në vend gjatë të vitit të kaluar ranë pre e sulmeve kibernetike.