“Një muaj në heshtje”/ Avokatja Marku zbardh prapaskenat e dh*nës në Fier: Vetëm pas publikimit të videos, reaguan institucionet
Rasti i dhunës ndaj një të miture në Fier ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën si reaguan institucionet ligjzbatuese. E ftuar në emisionin “Epiqendër” në Ora News, avokatja Aurora Marku analizoi ngjarjen dhe ngriti shqetësime për vonesat në hetim, mënyrën e referimit të rastit dhe mbrojtjen e të miturve.
Sipas avokates, ngjarja nuk duhet të ishte trajtuar thjesht si një rast dhune, pasi në të ka elementë të tjerë ligjorë, përfshirë kufizimin e lirisë së një të miture.
"Kemi një denoncim të bërë dhe për një muaj nuk është ndërmarrë asnjë veprim. Problemi është edhe mënyra si është referuar rasti, sepse është marrë vetëm si dhunë, ndërkohë që kemi një situatë ku flitet për heqje dhe kufizim të lirisë së një vajze. Kur ngjarja nuk pasqyrohet saktë, edhe hetimi rrezikon të mos nisë në drejtimin e duhur."-u shpreha ajo.
Avokatja solli në vëmendje edhe elementë të tjerë të rastit, përfshirë faktin që një nga vajzat e përfshira ishte e mitur dhe kishte marrë një banesë me qira, ndërsa ligji nuk lejon lidhjen e kontratave të tilla nga persona nën moshën 18 vjeç.
Sipas saj, rasti është bërë edhe më i rëndë pas raportimeve për përfshirjen e një punonjësi policie, i cili dyshohet se ka pasur një marrëdhënie intime me një nga vajzat e përfshira në ngjarje.
"Kemi edhe një element tjetër shumë shqetësues, përfshirjen e një punonjësi policie. Nëse vërtetohen këto dyshime, kemi një situatë shumë serioze, sepse personat që kanë detyrë të mbrojnë fëmijët nuk mund të jenë pjesë e një skeme ku cenohet siguria e tyre."-shtoi Marku.
Avokatja u ndal edhe te reagimi i institucioneve, duke thënë se shpeshherë ngjarjet marrin zgjidhje vetëm pasi bëhen publike në media.
Sipas saj, publikimi i videos së dhunës solli një reagim më të shpejtë institucional, ndërsa më parë çështja kishte mbetur pa vëmendjen e nevojshme.
"Në shumë raste në Shqipëri, lëvizja e institucioneve vjen vetëm pasi një ngjarje bëhet publike. Presioni i opinionit publik shpesh është ai që i detyron strukturat të reagojnë, ndërsa mbrojtja e fëmijëve duhet të jetë një detyrim që funksionon pa pasur nevojë për kamera."-tha ajo.
Rasti i Fierit ka rikthyer në qendër debatin mbi mbrojtjen e të miturve, përgjegjësinë e institucioneve dhe nevojën për një reagim më të shpejtë kur bëhet fjalë për dhunë ndaj fëmijëve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.



