Disa orë pas arrestimit të Ervis Zikës, gjendet zëvendësuesi i tij. Ja kush do të emërohet drejtor i burgut të Reçit
Drejtori i Komanduar i Burgut të Reçit, Ervis Zika u arrestua gjatë natës nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Prokuroria e Shkodrës e akuzon ish-titullarin se ka lejuar futjen e sendeve të ndaluara brenda burgut të Reçit! Në mënyrë që të shmangte skanerin, Zika ka kaluar vetë me sende të ndaluara të cilat më pas u ka dhënë të dënuarve, kundrejt përfitimit.
Nga ana tjetër drejtori i Komanduar i Burgut të Reçit dyshohet ka përfituar edhe duke vjedhur institucionin nga i cili merrte karburant duke firmosur kartela fiktive.
Në skemën e vjedhjes së karburantit dyshohet se janë të përfshirë edhe punonjës të tjerë të burgut.
Bazuar mbi provat e siguruara nga prokuroria Gjykata e Shkodrës ka caktuar “arrest me burg” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Arrestimi i zyrtarit është kryer në Lezhë, pasi policia ishte vënë në dijeni të lëvizjes së Ervis Zikës
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i pyetur për ngjarjen, përsëriti se nuk do të ketë tolerancë për zyrtarët e çfarëdo niveli që shkelin ligjin.
"Personat që marrin detyra dhe bien në konflikt me ligjin janë çështje e drejtësisë", tha ai.
Manja vuri në dukje se drejtori i burgut tashmë i arrestuar është denoncuar në prokurori nga vetë SHKBB-ja.
"Është një çështje e kallëzuar në Prokurori nga Shëbrimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje", tha Manja.
Skandali po hetohet në mënyrë më të thelluar pasi prokuroria ka urdhëruar kontrollin e pamjeve filmike të burgut ndërsa përveç Zikës priten të merren në pyetje edhe funksionarë të tjerë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në aspektin e abuzimit me karburantit.
Pak orë pas arrestimit të drejtorit të mëparshëm, kreu i burgjeve Admir Abrija ka prezantuar titullarin e ri në burgun e Reçit Seit Vuçaj ndërkohë që operacioni konfirmon edhe njëherë tjetër cenimin e sigurisë në burgje.
Pak muaj më parë u zbulua se gardianë dhe zyrtarë të tjerë bashkëpunonin me të dënuar dhe persona në liri për të futur drogë e sende të tjera të ndaluara në qelitë e sigurisë së lartë.

