EMRI/ Transportonte emigrantë të paligjshëm, në tentativën për t’u arrestuar sulmon efektivin e policisë, prangoset 34-vjeçari
Është kapur në Gjirokastër një shtetas që transportonte emigrantë të paligjshëm. Adnant Hoxha transportonte 22 emigrantë të paligjshëm. Në tentativën për t’i ikur policisë Hoxha dëmtoi një efektiv policie dhe më pas u vu në pranga. Në momentin që transportonte emigrantët furgoni i tij u përplas dhe me 2 makina të tjera.
Njoftimi i Policisë:
DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 72”.
Vihet në pranga 34-vjeçari që transportonte 22 emigrantë, me furgon, dhe gjatë tentativës për t’u larguar nga shërbimet e Policisë, në mesnatë, aksidentoi dy automjete dhe dëmtoi një punonjës policie.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i një pune hetimore me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 72”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në Lushnje.
Gjatë operacionit, në aksin nacional Përmet-Këlcyrë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit furgon tip “Opel”, me drejtues shtetasin A. H., i cili po transportonte kundrejt pagesës, 22 emigrantë nga vendet MENA.
Në tentativë për të shmangur kapjen nga shërbimet e Policisë, shtetasi A. H. ka aksidentuar dy automjete që ndodheshin në rrugë, si dhe ka dëmtuar lehtë një punonjës policie që ishte në shërbim, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti furgon dhe 3 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.